Rrëzimi i helikopterit Shkodër – Shkarkohet shefi i Sigurisë Ajrore Farkë, ishte në fluturim privat ditën e aksidentit

Shefi i Sigurisë Ajrore në Komandën e Forcave Ajrore në Farkë Nënkolonel Altin Lame është shkarkuar nga detyra në lidhje me aksidentin tragjik të rrëzimit të helikopterit ushtarak në Liqenin e Shkodrës ku humbën jetën dy pilotë dhe një ushtar profesionist mbeti i plagosur.

Ministria e Mbrojtjes ka nisur kështu të marrë masa për hetimin administrativ për ngjarjen e 6 prillit. Burime të besueshme, konfirmuan për RTV ORA NEWS se nënkolonel Altin Lame është larguar nga detyra me motivacionin zyrtar për “për shkelje të rëndë të disiplinës”.

Por Ora News ka mësuar se pas këtij motivacioni qëndrojnë shkeljet e kryera nga shefi i Sigurisë Ajrore në Komandën e Forcave Ajrore në Farkë ditën e rrezimit të helikopterit.

Sipas listës zyrtare Lame ishte zyrtari i fundit në bazën e Farkës, që firmoste lejen e fluturimit dhe konfirmonte kontrollin e pilotëve që do të niseshin me mision trajnues. Por sipas burimeve të besueshme, prania e tij në detyrë ka qenë fiktive pasi është verifikuar se Lame  në fakt atë ditë rezulton të ketë qenë i angazhuar si pilot në një agjenci private fluturimi.

Mësohet se ky raportim për përfshirjen e një ushtaraku në fluturime private po hetohet edhe nga prokuroria e Shkodrës që ka në dorë dosjen hetimore për rrëzimin e helikopterit ushtarak.

Rregullorja ushtarake e ndalon në mënyrë kategorike përfshirjen e pilotëve të Forcave Ajrore të përfshihen në fluturimeve private. Ndërkaq, për të zbardhur të vërtetën e aksidentit ajror të 6 prillit, prokuroria e Shkodrës është në pritje të ekspertizzës së kartës së memories së helikopterit “EC 145”. Nga rrëzimi i helikopterit ushtarak  humbën jetën  Donald Hoxha dhe Florian Deliu, ndërsa ushtari Gerald Baramuça mbeti i plagosur, por pretendon se nuk mban mend asgjë nga dita e aksidentit. on

Aktualitet

Archives