Xhaçka: Kosova dhe Shqipëria ndajnë të njëjtën ëndërr atë të integrimit euroatlantik

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha priti sot në takim ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Xhaçka dhe delegacioni i saj u pritën me ceremoni ushtarake në Ministrinë e Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) ku pas ceremonisë zhvilloi një takim tet-a tet me homologun e saj kosovar, Berisha.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, pas takimit të delegacioneve të të dyja vendeve, ministrja Xhaçka tha se fokusi i takimit me ministrin Berisha ishte rritja e bashkëpunimit në fusha që janë në interes të të dy vendeve dhe që i kontribuojnë stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit.

Ajo theksoi se e ka siguruar ministrin Berisha se do të vijojë të mbështesë Kosovën dhe FSK-në në rrugën e integrimit euroatlantik.

“Kosova dhe Shqipëria ndajnë të njëjtën ëndërr atë të integrimit euroatlantik të tyre dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor ashtu si dhe Ballkani Perëndimor nuk mund të jetë përgjithmonë kopshti i pasëm i Evropës”, tha Xhaçka.

Ajo po ashtu shprehu gadishmërinë e shtetit shqiptar në përcjelljen e eksperiencës me profesionalizëm dhe kompetencë për integrimin e Kosovës në NATO duke theksuar vlerësimin maksimal të Shqipërisë në lidhje me reformat që ka ndërmarrë FSK-ja në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

“E sigurova z. Berisha se Shqipëria e sheh atë si një proces të bazuar në kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe në bashkëpunim dhe bashkëvendim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk duhet të mungojë për asnjë moment besimi tek vendet aleate dhe ato partnere të cilët kanë dëshmuar ndër vite angazhimin më serioz me politikën e tyre të dyerve të hapura. Kosova tashmë është gati të ecë parpara në rrugën e pakthyeshme të integrimit euroatlantik”, tha Xhaçka.

Ndërsa, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha tha se e ka njoftuar homologen e saj për objektivat strategjike të FSK-së për vitin 2018, të arriturat dhe planet për të ardhmen. Ai tha se e ka informuar ministren Xhaçka rreth bashkëpunimit me partnerin strategjik, NATO-n duke shfaqur gatishmërinë që FSK të jetë kontribues proaktiv i sigurisë duke avancuar kapacitetet për ruajtjen e stabilitetit dhe ndërtimin e paqes në rajon.

“E njoftova dhe e sigurova ministren rreth procesit të transformimit të FSK-së në ushtri që jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese dhe se jemi duke punuar shumë që edhe komunitetet jo-shumicë të jenë pjesë e këtij transformimi dhe sigurisht se rruga drejt integrimit në NATO do të jetë shumë më e lëhtë për ne, në rast se kjo ndodhë me ndryshime kushtetuese”, tha Berisha.

Ministrja Xhaçka gjatë ditës takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj ndërsa pasdite do të pritet edhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Aktualitet

Archives