Kualifikohen Barça e Bajern

Bajern dhe Barcelona janë 2 skuadrat e radhës që siguruan një vend në 1/8 e Uefa Champions League. Në Grupin C, Çelsi e preu biletën që pasdite pasi mundi 4-0 Qarabagun në Azerbajxhan, me Ansi Agollin që luajti 90 minuta të plota. Blutë e Londrës e patën gjithçka të thjeshtë përballë vendasve me 10 vetë me Hazard që shënoi që në minutën e 21-të me 11-metërsh.

Përpara pushimit Willian finalizoi një aksion spektakolar për Blutë e Londrës, ndërsa në pjesën e dytë Fabregas me 11 metërsh dhe sërish Willian vulosën rezultatin përfundimtar në 4-0 për Çelsin. Atletiko i dha shpresë vetes për një vend në raundin tjetër pasi mundi 2-0 Romën në Madrid me një gol fenomenal të Griezmannit dhe një goditje të saktë të Gameiros. Në ndeshjen e fundit verdhekuqtë duken të kualifikuar pasi do të presin në shtëpi Qarabakun.

Në Grupin A, Manchester United nuk arriti dot fitoren e pestë radhazi në grup pasi humbi 1-0 në transfertë me Bazelin duke humbur dhe shansin e kualifikimit matematik dhe pse është e vështirë që humbasë me rezultat të thellë sfidën e fundit me Cska. Golin e fitores për zviceranët e shënoi Lang që kanë kuotë të njëjtë pikësh sa CSKA, me rusët që bënë detyrën ndaj portugezëve duke fituar 2-0 me gola të Shenikovit dhe një autogol të Jardelit.

Në Grupin B, lajmi është se PSG pësoi golin e parë në Champions pasi fitoret me goleadë të parizienëve janë bërë normale tashmë teksa fituan 7-1 me Celtic. Dembele ndëshkoi francezët që në minutën e 2-të por ndezi njëkohësisht dhe reagimin e francezëve që shënuan katër gola që në pjesën e parë, ku dy mbajnë firmën e Neymar. Më pas listës së golashënuesve ju shtuan dhe Cavani e Mbappe.

Në pjesën e dytë Verrati ngriti në 5-1 rezultatin, përpara se Cavani të shënonte dhe golin e dytë personal të mbrëmjes, ndërsa në fund pati festë dhe për Dani Alves që shënoi një gol të jashtëzakonshëm. Bayern fitoi 2-1 në transfertë me Anderlecht, me gola të Lewandoowkit dhe Tolisso ndërsa për vendasit barazoi provizorisht Hanni.

Në Grupin D, Barcelona me Messin zëvendësues barazoi 0-0 në Torino me Juventusin duke marrë dhe biletën për në 1/8 madje në klasin e parë si kryesuese e grupit, ndërsa Juventus e shtyn për ndeshjen e fundit ndaj Olympiacosit kualifikimin pasi Sportingu i Lisbonës mposhti 3-1 grekët nga Pireu me dy gola të Dost dhe një të Bruno Cesar ndërsa për miqtë shënoi në fund Odjidja.

Aktualitet

Archives