Liban – Kryeministri Saad Hariri pezullon dorëheqjen

Kryeministri libanez, Saad Hariri njoftoi pezullimin e dorëheqjes së tij të papritur, në pritje të konsultimeve për disa çështje të mprehta, përfshirë edhe përfshirjen në konflikte rajonale të Hizbullahut të fuqishëm pro-iranian, partner i qeverisë së tij.

Vendimi, i marrë një ditë pas kthimit të tij në vend pritet të çtensionojë atmosferën në Liban pas dorëheqjes së papritur të njoftuar më 4 nëntor nga Riadi, ku qëndrimi i tij i zgjatur u bë burim spekulimesh për një ndalim të mundshëm të udhëtimit.

Në deklaratat e bëra në Bejrut, Hariri nuk përmendi akuzat e Presidentit Michel Aoun sipas të cilave ai po mbahej peng në Arabinë Saudite, akuza këto që i mohoi gjatë qëndrimit në Riad.

Me një fytyrë të ngrysur, Hariri u shpreh në një fjalim të shkurtër televiziv, duke bërë thirrje për dialog në një shtet të minuar nga krizat e vazhdueshme politike mes dy kampeve kryesore, ai i kryesuar nga Hariri dhe ai i drejtuar nga Hizbullahu.

“Bisedova për dorëheqjen me Presidentin e Republikës që më ftoi të pres përpara dhënies së dorëheqjes për të patur më tepër konsultime. E pranova këtë kërkesë”, tha Hariri në përfundim të një takimi me Presidentin Michel Aoun. (ATSH)

Aktualitet

Archives