Koment – Rigjallërimi i Rrugës së Mëndafshit përmes Turqisë dhe Ballkanit

Falë projektit të hekurudhës Kars-Tbilis-Baku, edhe vendet e Ballkanit do të jenë gjithashtu në gjendje të marrin një rol më aktiv në ringjalljen e Rrugës historike të Mëndafshit.

Projekti hekurudhor Kars-Tbilis-Baku, një pjesë e rëndësishme e projekteve të Rrugës moderne të Mëndafshit, u vu në jetë me ceremoni zyrtare. Përveç lidhjes më të mirë të Turqisë, Kaukazit dhe Azisë Qendrore në fushën e transportit pritet që hekurudha në fjalë të luajë një rol të rëndësishëm edhe në trafikun hekurudhor Kinë-Evropë, si një alternativë ndaj korridoreve të tjera të transportit në rajon. Falë projektit të hekurudhës Kars-Tbilis-Baku, edhe vendet e Ballkanit do të jenë gjithashtu në gjendje të marrin një rol më aktiv në ringjalljen e Rrugës historike të Mëndafshit.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe me fillimin e vendeve të ish-bllokut Lindor të kalojnë në ekonominë e tregut të lirë, vendet e Evropës Perëndimore nisën të kërkojnë itineraret e transportit që do t’u siguronin atyre një qasje më të shpejtë dhe më të lirë në tregjet aziatike. Në këtë kuadër, korridoret e transportit pan-evropian, që filluan të zhvillohen në fillim të viteve 1990, dhe programi modern TEN-T kanë marrë në konsideratë edhe nevojën për qasje në tregjet aziatike. Paralelisht me këtë nisën punimet edhe për rigjallërimin e Urës Tokësore Evropë-Azi, duke iu referuar transportit hekurudhor ndërmjet porteve të Federatës së Rusisë dhe Kinës në Oqeanin Paqësor dhe porteve evropiane. Në anën tjetër, u zhvillua si një projekt më vete edhe Korridori i Transportit Evropë-Kaukaz-Azi (TRACECA), i cili parashikohet të lidhë Evropën me Azinë. Me këtë projekt parashikohej që Evropa të lidhej me Azinë Qendrore përmes korridoreve pan-evropiane të transportit nr.4, 7, 8 dhe 9, të cilët do të kalonin përmes Ballkanit, Detit të Zi, Turqisë, Kaukazit dhe Detit Kaspik.

Një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet për zgjerimin e TEN-T në kontinentin aziatik ka dhënë edhe Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE). Përveç kësaj, edhe organizata të tjera ndërkombëtare si: Organizata Ndërkombëtare e Transportit Rrugor (IRU), Konferenca e Ministrave Evropianë të Transportit (ECMT) dhe Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Azi-Paqësorin (UNESCAP) kanë kontribuar në eliminimin e pengesave për transportin tokësor midis Evropës dhe Azisë dhe krijimit të mundësive të reja.

Në Konferencën e 2-të Ndërkombëtare Euroaziatike të Transportit, organizuar në vitin 2000 nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën, u përcaktuan katër korridore tokësore të transportit euroaziatik që do të lidhin Bashkimin Evropian (BE) me Azinë, përkatësisht: Korridori Trans-Siberian, Korridori i Transportit Evropë-Kaukaz-Azi, Korridori Jugor dhe Korridori Veri-Jug. Në mesin e projekteve prioritare të identifikuara në këtë kontekst zënë vend si itinerar kryesor Korridori i Transportit Evropë-Kaukaz-Azi dhe itinerari që do të lidhë Bullgarinë me Afganistanin dhe Kinën duke kaluar përmes Turqisë dhe Iranit. Dhe këto dy rrugë bëjnë të mundur ringjalljen e Rrugës historike të Mëndafshit përmes Ballkanit dhe Turqisë. Në mënyrë të ngjashme me këtë, edhe Aksi Juglindor, një nga pesë akset më të mëdha të Bashkimit Evropian për transport ndërkombëtar, do të mundësojë ringjalljen e Rrugës historike të Mëndafshit përmes Ballkanit dhe Turqisë. Në këtë pikë, duhet theksuar se Kina po bën përpjekje për të bërë realitet projektin e ri të Rrugës së Mëndafshit përmes sloganit “Një brez, një rrugë” (One belt, one road).

Turqia ndodhet në udhëkryqin midis Azisë, Evropës dhe Afrikës. Nga korridoret e transportit pan-evropian, korridoret me numrat 4, 8 dhe 10 përfshijnë edhe Turqinë në sistemin e transportit pan-evropian përmes lidhjeve të pandërprera tokësore. Ndërsa për kalimin Evropë-Azi përmes Turqisë ka dy alternativa, njëra është ajo përmes Iranit, dhe tjetra përmes Kaukazit.

Pengesa më e rëndësishme për kalimin përmes Iranit është Liqeni i Vanit (në Turqi). Tragetet që punojnë në këtë liqen kanë teknologji të vjetër dhe kapacitete të vogla transporti, kështu që ata nuk mund ta plotësojnë dot kërkesën. Kurse alternativa e lidhjes përmes Kaukazit ka qenë problematike për shkak të portës armene, e cila është e mbyllur që nga viti 1993. Për këtë arsye, Turqia për një kohë të gjatë është marrë me ndërtimin e autostradës së Bregdetit të Detit të Zi, e cila përmirëson cilësinë e lidhjes midis Korridorit të Transportit Evropë-Kaukaz-Azi dhe rrjetit pan-europian të transportit. Përveç kësaj, gjithashtu janë përfunduar edhe projekti “Marmaray” dhe projekti hekurudhor Kars-Tbilis, të cilat ofrojnë një lidhje hekurudhore të pandërprerë midis Evropës dhe Azisë. Po ashtu edhe linjat hekurudhore në mes të urës “Sulltan Javuz Selimit” pritet të kontribuojnë në lidhjen hekurudhore midis Evropës dhe Azisë.

Përveç këtyre, në kuadër të bisedimeve që vazhdojnë me autoritetet kineze, pjesë e agjendës janë edhe përpjekjet për të përmirësuar lidhjet hekurudhore ekzistuese mes Turqisë dhe Kinës. Përveç të gjitha këtyre, për të lehtësuar kalimet kufitare, operimi dhe modernizimi i disa doganave kufitare në Turqi po bëhet nga Unioni i Dhomave të Tregtisë, Industrisë dhe Bursave të Turqisë (TOBB).

Bashkëpunimi midis Evropës, Detit të Zi, Kaukazit, Detit Kaspik dhe Azisë do të përhapet edhe më shumë me vënien në funksionim të hekurudhës Kars-Tbilis-Baku, hekurudhë e cila do të krijojë mundësi dhe potenciale të reja për Turqinë. Falë Rrugës së Mëndafshit, do të mund të rigjallërohet edhe tregtia e Turqisë, me në krye sektori i transportit e logjistikës. Në të vërtetë, pritet që hekurudha Kars-Tbilis-Baku të japë kontribute pozitive në ekonominë dhe jetën shoqërore të të gjitha vendeve në të cilat ajo kalon. Megjithatë, për të vënë në jetë me kuptimin e plotë të fjalës Rrugën historike të Mëndafshit nuk mjafton vetëm ristrukturimi i infrastrukturës së transportit në Turqi, është e rëndësishme të përmirësohet edhe infrastruktura e transportit në vendet e Ballkanit dhe Azisë. Itinerari i Korridorit të Transportit Evropë-Kaukaz-Azi, që ofron akses në vendet e Lindjes së Largët nëpërmjet Detit të Zi dhe Detit Kaspik, do të vazhdojë të jetë rival i hekurudhës Kars-Tbilis-Baku. TRT

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

Aktualitet