Arabia Saudite, gratë do të lejohen të futen në stadiume

Arabia Saudite do të lejojë gratë të ndjekin eventet sportive në stadiume për herë të parë në historinë e këtij vendi. Ky vendim do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, kanë bërë të ditur zyrtarët. Gratë do të mund të futen në stadium në tre qytete kryesore, Riyadh, Jeddah dhe Dammam. Ky është një tjeter hap përpara për liritë e grave në Arabinë Saudite, të cilat përballen me rregulla strikte të ndarjes gjinore, njoftojnë mediat e huaja. Ky vendim vjen një muaj pasi qeveria arabe iu dha të drejtën grave të ngasin makinën. Ndryshimet e tilla në vendin konservator, janë pjesë e reformave “Vizioni 2030”, të princit 32 vjeçar Mohammed bin Salman, të cilat synojnë të zbusin disa ligje, të modernizojnë shoqërinë arabe dhe të zhvillojnë fushën e ekonomisë përtej biznesit të naftës.

Ai është shprehur se 70% e popullsisë së Arabisë Saudite janë nën 30 vjeç dhe duan një jetë ku feja të përkthehet në tolerancë. Princi Mohammed theksoi se kthimi i Islamit të moderuar ishte pikë kyçe e planit të tij për të modernizuar vendin. Sakaq, autoritetet sportive të Arabisë Saudite janë shprehur se përgatitjet do të nisin në tre stadiume në mënyrë që të jenë të gatshme për të pritur familjarë që muajt e parë të vitit 2018.

Gjithashtu, në deklaratën e autoriteteve sportive bëhet e ditur se në këto stadiume do të vendosen restorante, kafene dhe televizorë si pjesë e këtyre ndryshimeve.

 

Aktualitet

Archives