Maqedoni – Përfundoi raundi i dytë i votimeve në zgjedhjet vendore

Mbrëmë në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Republikën e Maqedonisë, ku gjithsej 833.710 qytetarë nga ora 07:00 e mëngjesit kishin mundësinë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarët e rinj në 35 komuna të vendit.

KSHZ theksoi se votimi është zhvilluar pa ndërprerë dhe nuk janë shënuar pengesa, përveç në dy vendvotime në komunat Butel dhe Shuto Orizari, ku ka pasur ndërprerje për shkak të mosfunksionimit të llambave UV, por jo më shumë se gjysmë ore.

Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), pjesëmarrja në votime në nivel shtetëror deri në orën 17:00 në gjithsej 1.417 vendvotime ishte 43.83 për qind. Jehona më e lartë e votimit deri në kohën e njëjtë ishte në Demir Kapi me 76.59 për qind, ndërsa më e ulët në Shuto Orizari me 31.76 për qind.

Ministria e Punëve të Brendshme, po ashtu më herët njoftoi se në votimin e sotëm të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale nuk janë regjistruar shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike. Nga MPB theksuan se janë regjistruar disa incidente të vogla, të tilla si fotografimi i fletëvotimit dhe konflikte verbale mes votuesve, të cilat nuk kanë penguar procesin e votimit.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 15 tetor kur u zgjodhën kryetari i Qytetit të Shkupit, kryetar në 45 komuna dhe këshillat në Qytetin e Shkupit dhe në gjithsej 80 komunat e vendit.

Atëherë, nga gjithsej 1.814.614 votues, të drejtë e votimit e shfrytëzuan 1.079.876 qytetarë për të zgjedhur 260 kandidatë për kryetarë komunash si dhe për 6.627 kandidatët për këshilltarë komunalë, nga gjithsej 372 lista të ndryshme.

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të parat u mbajtën në vitin 1990, pastaj në vitin 1996, në vitin 2000, në vitin 2005, në vitin 2009 dhe të fundit në vitin 2013.

Aktualitet

Archives