Helidon Bendo zëvendësoi Visho Ajazin, ky është profili i shefit të ri të SHISH

Pas dorëheqjes së kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika, kryeministri Edi Rama i ka propozuar Presidentit Ilir Meta Helidon Bendon, shefin e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror.

“Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim 30 minutësh me Presidentin e Republikës, ku paraqiti propozimin për lirim të Drejtorit të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi, dhe emerim në këtë detyrë të zv.drejtorit të Shërbimit Informativ, Helidon Bendo.

Propozimi i kryeministrit për lirim dhe emërim në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, erdhi pas dorëheqjes nga detyra të drejtorit të këtij shërbimi, të cilën kryetari i qeverisë e mirëpriti duke e falenderuar zotin Visho Ajazi për kontributin e tij”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Helidon Bendo prej 18 muajsh mbante postin e zv.drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, deri në mëngjesin e sotëm kur është propozuar nga Kryeministri Edi Rama për të zëvendësuar Visho Ajazi Likën.

Por kush është Helidon Bendo?

Përpara se të merrte detyrën e zv.drejtorit të SHISH në 22 prill 2016, prej 7 vitesh ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror (AQ) të SHISH. Z.Bendo ka eksperiencë 21 vjeçare në SHISH ku ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ.

Z.Bendo ka lindur më datën 12 Maj 1971 në qytetin e Korçës. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai është diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tre-mujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Town në SHBA.

Gjithashtu, z.Bendo ka kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit. Ai flet gjuhët anglisht e greqisht. Z.Bendo i pëlqen të lexojë, peshkojë, udhëtoje dhe të kalojë kohë me familjen e tij.

Aktualitet

Archives