Laboratori i dixhitalizimit te Arkivi i Shtetit kushton sa investimet vjetore

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me TIKA (Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit) zhvilloi dje ceremoninë e përurimit të pajisjeve të dixhitalizimit për dokumentet osmane. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido, Ambasadori i Republikës së Turqisë Hidayet Bayraktar dhe Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Ozay Ozutok. “Kjo marrëveshje bashkëpunimi me Arkivat e Perandorisë Osmane në Turqi dhe me ndihmën e TIKA-s, e cila mundësoi këtë laborator të ri dixhitalizimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave që do të mundësoi skanimin dhe dixhitalizimin të të gjithë dokumentacionit në gjuhën Osmane që gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror si pjesë e bashkëpunimit që ne kemi me Arkivat Turke. Ky dokumentacion në kopjet dixhitale do të mbetet një kopje këtu dhe një kopje do iu dorëzohet Arkivave Turke dhe Arkivat Turke do të dorëzojnë dokumentet që janë në interesin e Shqipërisë që gjenden në Arkivat e Perandorisë Osmane”,-tha drejtori Ardit Bido. Ai falënderoi TIKA-n për mundësimin e këtij laboratori, i cili ka dhe një kosto të madhe aq sa gjithë fondi i investimeve që ka Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për një vit, prandaj kjo risi tregon rëndësi për këtë partneritet. “Gjithashtu, falënderimi shkon dhe për ambasadorin Hidayet Bayraktar, i cili ka qenë përherë në krah të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në projektet tona të përbashkëta, për të modernizuar kërkimin në Arkivat Shqiptare”,- shtoi Bido. Më tej, fjalën e mori ambasadori, i cili falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe TIKA-n, ku cilësoi që bashkëpunimet do të vazhdojnë dhe në të ardhmen. “Ky bashkëpunim midis dy drejtorive është shumë i rëndësishëm, sepse ka vlerë që të gjitha këto gjëra do t’i kalohen dhe brezave të rinj. Është shumë e rëndësishme që historia të shkruhet me gjëra sa më konkrete”, – tha Bayraktar.

 

Aktualitet

Archives