Donald Lu: A është i pafajshëm Saimir Tahiri?

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Qytetarët duhet të dinë të vërtetën” ka deklaruar ambasadori Donald Lu lidhur me çështjen e deputetit Saimir Tahiri

Ish ministri i Brendshëm dyshohet nga prokuroria se ka lidhje me organizatën italo shqiptare që u godit në Catania të Italisë. Ndërkohë Kuvendi dje refuzoi autorizimin e prokurorisë për arrestimin e tij.

Donald Lu: Më lejoni tju them dy fjalë lidhur me polemikat aktuale lidhur me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Të gjithë ju jeni duke parë të shkruhet historia në këtë vend. Ajo që dini është se në komunizëm Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme, në Spaç, Burrel e Qafë Krrabë.

Në 27 vitet e tjera ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm nga e djathta dhe nga e majta që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë pa pushim.

Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është i pafajshëm apo jo, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile dhe ju si të rinj, qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën.

E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partive politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë.

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë por jeni njerëz që votoni. I dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i Kuvendit dhe ministër i lartë i Kabinetit.

Është përgjegjësi e juaj që publiku të kërkojë të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm njerëzit duhet ta dinë këtë, nëse është fajtor ai duhet të përballet me drejtësinë.

Deklarata u bë në takim me këshillin rinor të ambasadës.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Rama, i cili falenderoi Lu-në për mesazhin, se shqiptarët duan drejtësi dhe jo gjyqe komuniste.

“Faleminderit Don. Një mesazh i qartë për shqiptarët që duan drejtësi, jo gjyqe komuniste për këdo që kanë votuar a paguar me taksat tyre”

Aktualitet

Archives