Mesazh Ramës, nga Krimet e Rënda: Kroacia dhe Rumania na mësuan si arrestohen kryeministrat

Në përgjigjen e saj kundër deklaratës akuzuese të kryeministrit Edi Rama ndaj treshes së prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe vendimit për të mos çuar në arrest ish-ministrin Saimir Tahiri, organi i akuzës i kujton të parit të qeverisë përvojën kroate dhe rumune.

Në reagimin e saj Krimet e Rënda i kanë sqaruar Ramës përmes një shembulli se si për një orë dore, përfunduan me arrestimin e më tej dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi, Ivo Sanader.

“Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë”, shpjegon prokuroria.

Më tej Krimet e Rënda theksojnë se janë të bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses.

 

Aktualitet

Archives