Erdogan përgëzon Jamalan për fitoren në Eurovision

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përgëzuar përmes telefonit këngëtaren tartaro-krimeane, Jamala, e cila fitoi Eurovisionin për Ukrainën të shtunën në Suedi.

Sipas burimeve presidenciale në Ankara, Erdogan  i ka uruar Jamalas, fituese e Eurovisionit me këngën “1944”, që trajton dëbimin masiv të tartarëve të Krimesë në Azinë Qendrore nga ish-Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës II Botërore, suksese të mëtejshme në karrierën e saj artistike.

Jamala, nga ana e saj u shpreh mjaft e emocionuar për këtë telefonatë përgëzuese të kreu të shtetit turk dhe e falënderoi atë me sinqeritet.

Artistja tartare e Krimesë, e cila përfaqësoi Ukrainën në edicionin e 61-të të Eurovisionit në Stokholm, deklaroi se përmes kësaj fitoreje e gjithë bota ka mësuar historinë e fshehur prej vitesh të Krimesë.

Në kthim nga Suedia, Jamala u prit në Aeroportin “Borispol” të Ukrainës nga qindra simpatizantë, që mbanin në duar lule dhe flamuj ukrainas e tartaro-krimeanë.

“Do të doja shumë që Eurovisioni i vitit të ardhshëm të organizohej në atdheun tim, në Krime. Tani Krimeja është nën pushtim dhe nuk jam e sigurt nëse këtij pushtimi mund t’i jepet fund brenda një viti. Këtë e them jo se nuk kam besim tek kjo, por sepse këtë nuk mund ta arrijmë për një vit”, deklaroi Jamala në aeroport.

Sa i përket domethënies së triumfit të saj në Eurovision, ajo u shpreh me fjalët: “Të gjithë dëgjuan historinë e fshehur, që askush nuk donte të flitej prej vitesh. Kjo fitore vërteton ekzistencën e drejtësisë. Kemi kapërcyer shumë dhimbje. Përmes kësaj kënge, Evropa dëgjoi aneksimin (e Krimesë), luftën, revolucionin dhe dhimbjet e tjera në Ukrainë. Evropa më votoi mua, më kuptoi dhe më ndjeu. Sepse kjo këngë vjen thellë nga zemra, nga shpirti.”

“Ukraina e meritoi me 100% këtë triumf”, shtoi Jamala.

Emri i vërtetë e i saj është Susana Jamaladinova dhe ajo është e lindur në Kirgizi, ku familja e saj ishte strehuar gjatë Luftës II Botërore.

Më vonë, familja e këngëtares tartare ishte kthyer në Krime; por Jamala nuk ka shkuar më atje që prej aneksimit nga Rusia. Prindërit dhe familja e gjerë e saj jetojnë në Krime.

Këngëtarja tartaro-krimeane do të nderohet me titullin “Artiste e Popullit” në Ukrainë.

Aktualitet

Archives