Ndeshjet me Spanjën dhe Italinë, të rëndësishme për imazhin e Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Pannucci, ka mbajtur  një konferencë për mediat në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, për ndeshjet e radhës zyrtare eliminatore për Botërorin “Rusi 2018”, me Spanjën dhe Italinë.

Panucci theksoi se përballjet me Spanjën dhe Italinë janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për imazhin e Shqipërisë.

“Janë dy skuadra më të forta se ne, por futbolli na tregon se edhe përballë më të mirëve mund të bësh diçka të rëndësishme. Dua 11 luanë në fushë. Ne do të provojmë të marrim rezultat. Kemi respekt për këta kundërshtarë, por nuk më pëlqen të dëgjoj që rivalët janë më të fortë ende pa luajtur. Natyrisht që ndeshja me Italinë më emocionon, ashtu si edhe ajo me Spanjën, ku kam kaluar etapën më të rëndësishme në karrierë. Megjithatë, personalisht më intereson vetëm Shqipëria, jam i fiksuar te suksesi i Ekipit Kombëtar. Kemi respekt për Spanjën dhe Italinë, por do të provojmë t’i ndëshkojmë”, u shpreh trajneri Panucci.

Ai ka shtuar se për Cikalleshin dhe Xhakën nuk “kam thënë asnjëherë që nuk do të ktheheshin, pasi ata janë lojtarë të rëndësishëm për ekipin”.

Shqipëria në ndeshjet e radhës do të përballet me Spanjën më 6 tetor në stadiumin “Jose Rico Perez” në qytetin Alicante dhe Italinë më 9 tetor të këtij viti në stadiumin “Loro Boriçi”, në Shkodër.

Në grupin kualifikues “G” për në Kampionatin Botëror “Rusi 2018” në ndeshjet e zhvilluara deri tani kryeson Spanja me 22 pikë, pastaj Italia 19, Shqipëria 13, Izraeli 9, Maqedonia 7 dhe Lihtenshtejni me asnjë pikë. (AA)

Aktualitet

Archives