Tre shkencëtarë amerikanë marrin Nobelin në Fizikë

Tre shkencëtarë amerikanë janë fitues të Nobelit në fizikë për vitin 2017. Ata u vlerësuan, pasi arritën t’i japin shpjegim pyetjes për mënyrën se si krijohen dhe shpërndahen valët gravitacionale, koncepti për të cilat u krijua shekullin e kaluar nga shkencëtari i famshëm Albert Ajnshtajn.
Amerikanët Rainer Ëeiss, Kip Thorne dhe Barri Barish janë fitues të çmimit Nobel në fizikë për vitin 2017. Akademia mbretërore suedeze e shkencave i vlerësoi ata me titullin më të lartë shkencor, pasi ata kanë zbuluar mënyrën se si krijohen dhe si veprojnë në hapsirë valët gravitacionale.
Sipas shpjegimit të tyre, valë gravitacionale konsiderohen të ashtuquajturat dridhje të shtrira në hapsirë dhe kohë, që krijohen nga fenomene tepër të fuqishme që ndodhin në univers. Të tilla janë përplasjet mes vrimave të zeza, shpërthimet e e yjeve apo fenomene të tilla si Big Bang, prej nga e ka prejardhjen edhe universi.
Koncepti i valëve gravitacionale u zbulua shekullin e kaluar nga Albert Ajnshtajn. Por për të parën herë, këto valë u monitoruan në shtator të 2015-ës, një zbulim që u bë publik një vit më vonë. Zbulimi i tyre u bë falë një bashkëpunimi mes dy projekteve të mëdha shkencore, amerikanes Ligo dhe europianes Virgo.
Shkencëtarët do të ndajnë mes tyre, shpërblimin me vlerë 1.1 milion dollarë. Të hënën, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave shpërndau nobelin në mjeksi. Gjatë kësaj jave pritet të shpërndahen edhe çmimet për zbulimet shkencore në fushën e kimisë, letërsisë por edhe për Paqen.

Aktualitet

Archives