Kushtet për vizë pune në Gjermani, përfitojnë Shqipëria dhe Kosova

70% më shumë punëtorë të huaj janë regjistruar në Gjermani në 8 muajt e parë të vitit dhe shumica e tyre vijnë nga Ballkani Perëndimor. Kjo rritje vjen falë skemës së lehtësuar të pranimit për persona nga ky rajon. Kushti i vetëm për të përfituar një vizë pune në Gjermani është që aplikuesit të kenë një siguruar një vend pune. Skema është e vlefshme edhe për Shqipërinë e Kosovën deri në vitin 2020.

Gjermania regjistron gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj nga Ballkani Perëndimor. Sipas një shkrimi në të përditshmen gjermane Die Welt, vetëm në tetë muajt e parë të vitit, Agjensia Federale e Punës ka lëshuar leje pune për 63.000 persona nga ky rajon, në bazë të shifrave të bëra publike nga vetë ky institucion.

Krahasuar me vitin e kaluar, kjo shifër është 70% më e lartë e kjo do të thotë se një në çdo tre leje pune për një shtetas të një vendi të tretë i shkon një personi nga Ballkani Perëndimor.

Arsyeja për këtë rritje është lehtësimi i procedurës së aplikimit që ka filluar të zbatohet që prej 2016.

Kriza e refugjatëve nga Siria dhe Iraku gjithashtu u intensifikua nga fluksi i madh i azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Gjermania i deklaroi këto shtete si vende të sigurta të origjinës dhe rrjedhimisht, emigrantët nga këto vende kanë pak shanse të njihen si azilkërkues.

Kështu, aksesi ligjor për emigrantët nga Ballkani Perëndimor u lehtësua: kush mund të sigurojë një punë konkrete në Gjermani, mund të marrë një vizë pune pa patur nevojën për një kualifikim profesional ose pagë minimale.

Shumica e vizave janë lëshuar për persona që punojnë në industrinë e ndërtimit, ndërkohë që akademikët përbëjnë një përqindje të vogël.

Sidoqoftë, pranimi nga Agjensia Federale e Punës, vijon më tej Die
Welt, nuk garanton hyrjen e aplikuesve nga Ballkani, pasi këta të fundit duhet të pajisen fillimisht me viza në vendet e tyre të origjinës, gjë që shkakton mbipopullim të ambasadave gjermane në vendet respektive.

Skema e Ballkanit Perëndimor është e vlefshme deri në 2020, por në Berlin po diskutohet vijimësia e procedurës, që ndoshta mund të shërbejë si shembull edhe për emigrantët nga Afrika e Veriut.

Në shkrimin e Die Welt thuhet se procedura e Ballkanit Perëndimor ka potencial të kthehet në një politikë inovative për emigrimin.

ON

Aktualitet

Archives