Vasili: Së shpejti do mësoni gjëra të mëdha për llogari bankare, emrash të rëndësishëm

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka mbajtur një fjalë të fortë mbrëmë në seancën maratonë të parlamentit, duke paralajmëruar zhvillime, për sa i përket zbulimit të pasurive të vëna me korrupsion nga shtetarë të lartë.

Duke folur në kontekstin e ligjit për mbetjet, Vasili tha se shërbimet partnere në javët në vazhdim do të prodhojnë lajme e ngjarje të mëdha në vendin tonë. Sipas tij shumë shpejt, emra të rëndësishëm të shtetit do përballen me drejtësinë për llogaritë bankare, Offshoret të largëta etj, të prodhuara nga korrupsioni.

“Kjo foltore këtu ka ngrënë grushte e pëllëmbë, për të bindur edhe njërën edhe tjetrën palë, duke vënë në kushtet e një paradoksi antagonisht të pakuptueshëm, të pashpjegueshëm, por me një motiv të fortë i cili është një motiv i pisët, i shëmtuar.

Është një motiv për të cilin janë shumë më të interesuar dhe e ndjekin me shumë vëmendje vendet mike, shërbime partnere, të cilët sigurisht në javët dhe muajt që vijnë do bëjnë që këtu të ketë lajme, ngjarje që do bëjnë të na duken shumë të vogla diskutimet e sotme.

Do ketë natyrshëm, edhe ngjarje që vijnë, për llogari emrash të rëndësishëm nga Offshore të largëta, ku qofshin këto llogari të pista gjithfarësh, të prodhuara me rrugë të tjera korruptive, të prodhuara nga plehrat apo jo, të lidhura me mekanizma vendesh fqinje apo jo etj, të cilat do të kenë sigurisht përgjigje shumë të rëndësishme. Të cilave s`do kemi ne vend t`u bëjmë as diskutime demagogji, as politikë elektorale por do të jetë pastaj domen i drejtësisë, për ti ndjekur”, paralajmëroi Petrit Vasili.

Aktualitet