Arabi Saudite – Mbreti Salman lejon gratë që të ngasin makinën

Mbreti Salman bin Abdulaziz i Arabisë Saudite nxori të martën një dekret, përmes të cilit lejon gratë që të ngasin makinën për herë të parë në historinë e vendit…

Mbreti Salman bin Abdulaziz i Arabisë Saudite nxori të martën një dekret, përmes të cilit lejon gratë që të ngasin makinën për herë të parë në historinë e vendit.

Sipas mediave vendase, ministritë do të përgatisin një raport për këtë çështje brenda 30 ditësh dhe urdhri i mbretit do të zbatohet deri në qershor të vitit 2018.

Arabia Saudite është vendi i vetëm në botë që nuk lejon gratë të ngasin makinën pa qenë të shoqëruara nga një burrë i familjes. Grupet për të drejtat e njeriut janë përpjekur prej vitesh që gratë të lejohen të ngasin makinën në këtë vend, ndërkohë që jo pak gra janë burgosur pasi kanë shkelur rregullin.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Arabinë Saudite (SPA) njoftoi se dekreti mbretëror bën të mundur krijimin e rregulloreve të reja, përfshi këtu pajisjen e grave me patenta.

“Dekreti mbretëror rregullon trafikun rrugor duke përfshirë edhe barazinë gjinore në lëshimin e lejeve të drejtimit”, theksohet mes të tjerash në deklaratën e SPA-së.

Në dekretin mbretëror shkruhet se vendimi për t’iu dhënë patenta grave do të bëhet duke respektuar sheriatin (e drejta fetare islame), por pa dhënë detaje.

Mediat saudite raportuan se ideja e Mbretit Salman është mbështetur edhe nga shumica e anëtarëve të Këshillit të Dijetarëve Fetarë Veteranë.

Ndërkaq, reagimi i parë në lidhje me këtë zhvillim erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi saudit u përshëndet nga Departamenti amerikan i Shtetit si “një hap madhor në drejtimin e duhur”.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu publikoi një komunikatë me shkrim për dekretin mbretëror saudit.

“Presidenti Donald J. Trump vlerëson vendimin e Arabisë Saudite për t’u dhënë grave të drejtën që të ngasin makinën. Ky është një hap pozitiv në zgjerimin e të drejtave dhe shanseve të grave në Arabinë Saudite. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Arabinë Saudite në përpjekjet e saj për të forcuar shoqërinë dhe ekonominë saudite përmes reformave të tilla si kjo dhe Vizioni 2030”, nënvizohet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.

Aktualitet

Archives