Nga viti 1912, ekspozohen 71 vulat e shtetit shqiptar

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave çelin ditën e hënë me 25 shtator, ekspozitën “Vula të institucioneve të shtetit shqiptar”. 71 vulat e prezantuara në këtë ekspozitë janë pjesë e Fondit “Koleksion Vulash” (nr. 776). Të gjitha vulat kanë qenë funksionale në kohën e tyre, ndërsa sot ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. Qysh prej Traité de Documentation të Paul Otlet (Traktat i dokumentimit, 1934) koncepti i dokumentit në komunitetin shkencor ka ndryshuar. Duke përdorur të njëjtin koncept të dokumentit, sjellim në këtë ekspozitë jo dokumentin klasik, në format letre të shkruar me dorë apo makinë shkrimi, por objektin si dokument që dëshmon dhe dokumenton veprimtarinë njerëzore.

Ekspozita “Vula të institucioneve të shtetit shqiptar” është punë e kuratorëve të Muzeut Historik Kombëtar dhe Sektorit të Promovimit dhe Komunikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Ekspozita është konceptuar në disa vitrina. Vulat janë ndarë sipas rendit kronologjik dhe tematik, në alternim me njëri-tjetrin. Vitrina e parë përmban vula të institucioneve fillestare të shtetit shqiptar (vitet 1912 – 1928), duke filluar me vulën Socheria e mesimit schipe bere – 16 decem – Bucurest 1881. Vitrina e dytë përmban vula të viteve të Shqipërisë Mbretërore, 1928 – 1929. Vitrina e tretë përmban vula të periudhës së pushtimit fashist, 1939-1943, ndërsa vitrina e katërt përmban vula të periudhës 1944 – 1976. Gjithashtu, në ekspozitë paraqiten vula të shoqërive patriotike dhe bamirëse, të institucioneve të trojeve shqiptare si Filati, Ulqini dhe Fushë Kosova (periudha 1939-1943), vula të ambasadave shqiptare nëpër vende të ndryshme, si edhe vula të komuniteteve fetare. Ekspozita mbyllet me vula të disa prej shoqërive tregtare të kohës.

 

Aktualitet