Kryeministri Rama: Anëtarësimi në BE është një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë

Duke folur për Kosovën, kryeministri i Shqipërisë tha se pranimi i Kosovës në çdo institucion rajonal me të drejta të barabarta po ashtu si vendet e tjera është me rëndësi thelbësore.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York ka folur për disa çështje, konkretisht për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, luftën kundër terrorizmit, bashkëpunimin rajonal, Kosovën, etj, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama theksoi se një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, duke shtuar se “Për ne integrimi evropian qëndron në zemrën e zhvillimit tonë të përgjithshëm, pasi prek çdo qelizë të arkitekturës tonë të zhvillimit.”

Duke folur për Kosovën, kryeministri i Shqipërisë tha se pranimi i Kosovës në çdo institucion rajonal me të drejta të barabarta po ashtu si vendet e tjera është me rëndësi thelbësore.

“Ballkani Perëndimor sot është shumë më mirë se 3, 5 apo 10 vjet më parë. Serbia dhe Kosova janë të angazhuara prej disa vitesh në një dialog serioz drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ky proces ka prodhuar një klimë besimi për dy vendet dhe për bashkëpunimin rajonal. Kjo është një arsye më shumë për t’iu kujtuar atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën në këtë audiencë që ta bëjnë atë. Kjo nuk duhet të shihet si një sfidë apo humbje siç është përshkruar shpesh gabimisht. Njohja e Kosovës, përkrahja e saj për të ecur përpara, është një kontribut për një jetë më të mirë për qytetarët e saj dhe investim për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, të të gjithë vendeve të tij përfshirë edhe vetë Serbinë”, është shprehur Rama.

Në fund të fjalës së tij Rama ka theksuar nevojën për reformimin e Kombeve të Bashkuara, që sipas tij “të mbetet e rëndësishme, që të përmbushë përgjegjësitë e saj, të garantojë zhvillim të qëndrueshëm, të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë.”

Në kuadër të sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), kryeministri i Shqipërisë u takua dje me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Gjithashtu Rama u takua edhe me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.

Aktualitet

Archives