Mbahet në Tiranë takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s

Në Tiranë, mbahet sot takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me pjesëmarrjen e shefave të shtabeve të përgjithshëm të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës.

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, mbahet sot takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me pjesëmarrjen e shefave të shtabeve të përgjithshëm të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës, ku i pranishëm është edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së takimit që i zhvillon punimet deri më 17 shtator, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa gjatë ditës do të vazhdojnë sesionet e mbyllura për mediat.

Në takimin i cili organizohet nën mikpritjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, do të diskutohet për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të jepen rekomandime për vazhdimësinë e misionit “Resolute Support” në Afganistan dhe KFOR Kosovë. Gjithashtu, do të zgjidhet kryetari e ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili do të marrë detyrën në verën e vitit 2018.

Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e hapjes së takimit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, që po zhvillon punimet në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka theksuar se si vend anëtar Shqipërisë i duhet të llogarisë jo vetëm përfitimet, por edhe përgjegjësitë që burojnë nga anëtarësimi në Aleancë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalës së tij në takimin kur merr pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, Rama ka folur për domosdoshmërinë e anëtarësimin të Kosovës dhe Maqedonisë në NATO, por edhe të vendeve të tjera të rajonit.

Gjithashtu ai ka theksuar se edhe në të ardhmen forcat e armatosura të Shqipërisë do të kontribuojnë për realizmin e angazhimeve të NATO-s.

“Një ndër përgjegjësitë e rëndësishme të Shqipërisë në NATO është kujdesi i saj për të kontribuar që rajoni historik i brishtë dhe problematik i Ballkanit të shndërrohet në një rajon të paqes, demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit. Me hyrjen e Malit të ZI në NATO, gjë të cilën Shqipëria e ka mbështetur që në krye të herës, aleanca jonë përveçse Atlantike u bë edhe Adriatike'”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi ndër të tjera se hartës së NATO-s i mungojnë Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia, duke shtuar se “Kjo zonë ende e papërfshirë përbën një faktor paqartësie strategjike për aleancën tonë. Shqipëria ka një interes, por ka edhe përgjegjësi të veçantë që kjo pjesë organike e rajonit dhe kontinentit tonë të shndërrohet në një faktor të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit.Në përmbushje të kësaj përgjegjësie edhe si vend i NATO-s ne jemi përpjekur dhe kemi arritur jo pak në një proces që vazhdon”.

“Valët e ekstremizmit dhe terrorizmit si dhe zgjedhjet e tjera globale janë faktorë të rëndësishëm që përcaktojnë edhe politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes së Shqipërisë. Përgjegjësitë si një vend ku mbështetja publike për NATO është ndër më të lartat. Shqipëria e ka pasur politikisht të lehtë që të jenë aktive në pjesëmarrjet ushtarake të NATO-s. Ne kemi arritur që t’i bashkohemi misioneve të aleancës në një nivel mbi propocional”, theksoi Rama.

Ndërkohë kreu i Qeverisë së Shqipërisë ka theksuar se mbështetja e disa proceseve duke filluar nga procesi i konsolidimit të demokracisë në Kosovë, inkurajimi i politikave dhe faktorëve euroatlantik në Maqedoni si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, janë disa nga drejtimet kryesore ku është përqendruar politika e jashtme e Shqipërisë.

Kujtojmë se shefat e shtabit të ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s mbërritën dje në Shqipëri, ku u pritën me ceremoni zyrtare të organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, në kuadër të takimit të Komitetit Ushtarak të NATO-s (15-17 shtator).

Sot ata vazhdojnë takimin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, ku do të diskutohet për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të jepen rekomandime për vazhdimësinë e misionit “Resolute Support” në Afganistan dhe KFOR Kosovë.

Aktualitet

Archives