Basha deputetëve: Punë me kohë të plotë, të rrisim opozitarizmin

Lulzim Basha ka mbledhur Kryesinë e Partisë Demokratike ditën e sotme, ku ka ngritur zërin ndaj deputetëve.

Ai ka deklaruar i prerë se deputetët do të funksionojnë ndryshe, duke thënë se puna e tyre do të jetë me kohë të plotë.

“Puna e deputetit është full time, jo me kohë të pjesshme. Duhet disiplinim i punës, për të rritur efiçencën dhe opozitarizmin. Nuk mund të lejohen me angazhime të pjesshme me disa orë. Deputetët do të angazhohen çdo ditë me kohë të plotë si ligjvënës dhe ne shërbim të qytetareve”, mësohet të jetë shprehur ai në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Po ashtu ka deklaruar se do të caktohen ditët për mbledhjen dhe përgatitjen e deputetëve për ligjet dhe oponencën në parlament dhe në publik.

Ai nënvizoi se do të përcaktohen ditë takimesh me qytetarët në zonat elektorale, duke thënë i prerë se “Të gjithë deputetët duhet të jenë aktivë, asnjë i mënjanuar”.

Qëndrimi i tij vjen pas kritikave të shtuara lidhur me zhvillimet në partinë e drejtuar prej tij, ku qysh në seancën e parë parlamentare të kësaj legjislature, kur u zgjodh kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, nga radhët e demokratëve pati rrjedhje votash.

Aktualitet

Archives