Minstri Majko: E drejta e votës, do të rrisë vëmendjen e politikanëve karshi emigrantëve

Për ministrin e Diasporës Shqiptare, Pandeli Majkon deklaron se “marrëdhënia me emigracionin përfaqëson një prioritet për qeverinë e re”.

Në nisje të detyrës së tij, ministri shpjegoi  se “për çështjet e emigracionit do të bashkëpunohet ngushtë veçanërisht me vendet fqinjë. Do të ishte ironike që organizimi i shqiptarëve në diasporë të ndahej në kufijtë e shteteve ku ata jetojnë dhe nga ata vijnë. Traktatet ndërkombëtare e kanë ndarë kombin në kufij por ato nuk parashikojnë ndonjë kapitull për ndarjen e shqiptarëve në diasporë”.

“Në emigracion dhe jo vetëm aty, shqiptaria nuk është formë por përmbajtje. Do të jetë një detyrë e dorës së parë bashkëpunimi me Kosovën, për këtë çështje dhe më pas të dyja shtetet së bashku do të ndajmë eksperiencat më të mira dhe detyrat që na takojnë përballë bashkëkombësat tanë “, tha ai gjatë fjalës së tij.

Majko vuri në dukje se Ministri i Shtetit për diasporën nuk do të ketë një administratë, në kuptimin e një ministrie linje.  Sipas tij, emigracioni nuk ka nevojë për administratim që të “urdherohet” apo varet si prioritet ministror nga politika e ekzekutivit . Kjo është arsyeja që sipas tij, ministria që ai përfaqëson  do të organizohet në formën e një agjencie shtetërore e cila do të ketë marrëdhënie të dyfishta  me ekzekutivin dhe kuvendin.

“Ngritja e një nënkomisioni parlamentar për diasporën do të krijojë një mekanizëm të dobishëm fillimisht,  dhe diskutimin në vazhdim të çështjeve të reformës për emigracionin. Për këtë është e nevojshme që të paktën një here në vit të diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë e më pas votohet një rezolutë për këtë çështje. Pa dyshim që kjo do të jetë e hapur për të gjitha organizatat e shoqërisë civile ndërkombëtarë të interesuara”, tha ai.

Gjithashtu, sipas Majkos, e drejta e votës për emigrantë shqiptarë kudo jetojnë do të rrisë vëmendjen e politikanëve karshi tyre.

“E drejta e votës vjen nga qendrat më të organizuara të shqiptarëve  në: Itali, SHBA, Kanada, Zvicër, Greqi, Australi etj. Duke qënë njohës modest i politikës, e di që pas marrjes të të drejtës së votës për emigrantët, sytë e politikanëve do të jenë edhe më të vëmendshëm karshi tyre. Interesi i pushtetit dhe i emigrantëve kështu do të lidhen ngushtë dhe do të prodhojnë një politikë shtetërore të qëndrueshme, karshi kësaj shtrese që vetëm i ka dhënë këtij shteti dhe mirëqënies së tij. E rëndësishme në këtë kuadër do të jetë ndërtimi i strukturave, që do të mbështesin qëndrueshmërinë e një politike shtetërore, e cila do të ndihmojë në rikthimin e emigrantëve në atdhe, për ata që duan të investojnë në vendin e tyre. Në kuadër të kësaj është parashikuar ngritja e një fondi, në mënyrë të tillë që të bëjë për të sapo kthyerit të mos ndjehen të huaj në vendin e vet apo të bien pre e burokracive korruptuese”, tha ai.

Majko tha se Samiti i Diasporës do të jetë një aktivitet i përvitshëm  ndërkohë që  kërkoi mbështetjen e opozitës për reformën e diasporës.

Aktualitet

Archives