Tërmeti në Meksikë, të paktën 61 të vdekur nga lëkundjet 8.1 ballë

Ka shkuar në të paktën 61 numri i personave të vrarë nga tërmeti i fuqishëm që mbrëmjen e së enjtes lëkundi bregun jugor të Meksikës.

Një operacion madhor shpëtimi është tashmë në zhvillim në shtetet e prekura më rëndë nga ky tërmet, siç janë Tabasko, Oaksaka dhe Çiapas, ku autoritetet besojnë se ka ende shumë njerëz të bllokuar nën gërmadha.

Sipas presidentit Enrique Pena Nieto, të paktën 200 persona kanë mbetur të plagosur.

Tërmeti me magnitudë 8,1 ballë konsiderohet si më i fuqishmi që rajoni ka përjetuar në një shekull. Presidenti Pena Nieto ka shpallur një ditë zie kombëtare, teksa flamujt do të valëviten në gjysmë shtizë në nderim të viktimave dhe familjeve në zi.

Lëkundjet e fuqishme shkaktuan panik deri në kryeqytetin Meksiko si dhe në Guatemala ku u raportua të paktën një viktimë. Tërmeti madje nxiti edhe një paralajmërim për tsunami që më pas u hoq. Gjithsesi, mijëra persona në komunitetet bregdetare të Çiapasit u evakuuan si masë paraprake, ndërkohë që rajoni u trondit nga të tjera lëkundje edhe gjatë të premtes.

Sipas autoriteteve, ky tërmet ishte më i fuqishëm se ai i vitit 1985, ku mijëra persona humbën jetën. Bilanci më i ulët i viktimave të shënuara këtë herë shpjegohet me faktin se tërmeti goditi zona më pak të populluara.

Kjo tronditje vjen në një kohë kur Meksika përballet edhe me kërcënimin e Uraganit Katia në bregun lindor të vendit. Uragani i kategorisë së parë gjendet tashmë në jug-lindje të qytetit portual të Tampikos dhe sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve në Shtetet e Bashkuara, ka sjellë erëra me shpejtësi deri në 140 km/h.

Aktualitet

Archives