Koment – Gjendja e përgjithshme e infrastrukturës së transportit në vendet e Ballkanit

Një sistem më efikas i transportit në vendet e Ballkanit është i nevojshëm jo vetëm për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendeve të rajonit, por edhe për transportin transit ndërkombëtar.

Pjesa më e madhe e investimeve të transportit në vendet e Ballkanit është realizuar në vitet 1970 dhe 1980, kurse më pas janë nënvleftësuar në masë të madhe punimet në drejtim të mirëmbajtjes dhe riparimit. Përveç kësaj, infrastruktura e transportit të vendeve të Ballkanit ka pësuar dëme dhe nuk është zhvilluar mjaftueshëm edhe për shkak të ndikimit që kanë pasur luftërat, paqëndrueshmëria ekonomike dhe trazirat politike në rajon. Për këtë arsye, zhvillimi i një infrastrukture efikase të transportit është një nga nevojat themelore që qëndron përpara vendeve të rajonit.

Në një studim të kryer nga Banka Botërore, karakterizohen si të dobëta edhe institucionet dhe politikat e sektorit të transportit në vendet e Ballkanit. Kurse një raport i publikuar nga Komisioni Evropian thotë se vetëm përmirësimi i infrastrukturës së transportit nuk mund të ofrojë dinamizëm të qëndrueshëm në Ballkan pa përgatitur më parë një kornizë të re ligjore dhe institucionale për sektorin e transportit. Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat këto dy vitet e fundit janë bashkuar në kuadër të Procesit të Berlinit, po diskutojnë jo vetëm për harmonizimin e politikave të ndjekura në sektorin e transportit, por edhe për zhvillimin e infrastrukturës fizike.

Probleme të tjera që kanë të bëjnë me sektorin e transportit në vendet e Ballkanit janë mungesa e lidhjeve ndërkufitare, përdorimi i llojeve të transportit në një mënyrë të pa-ekuilibruar dhe fragmentarizmi i rrjetit të transportit. Për shkak të nacionalizmit, interesave ekonomike në konflikt dhe mungesës së politikave të mira fqinjësore deri vonë, lidhjet e transportit mes disa vendeve të Ballkanit nuk janë në nivel të kënaqshëm. As lidhjet ndër-rajonale nga lindja në perëndim të Ballkanit nuk janë në nivelin e dëshiruar. Për më tepër, ka nevojë për përmirësimin e lidhjeve të transportit midis Ballkanit dhe pjesës perëndimore dhe verilindore të Evropës.

Për shkak të pozicionit gjeografik strategjik që ka, normalisht Ballkani duhet të ishte një rajon i rëndësishëm transiti për transportin intermodal. Përveç kësaj, korridoret multimodale të transportit pan-evropian që kalojnë nëpër këtë rajon ofrojnë mundësi për zhvillimin e transportit intermodal. Sidoqoftë, transporti intermodal në Ballkan nuk është i zhvilluar mjaftueshëm. Në të vërtetë, vetëm 1 për qind e mallrave të transportuara në vendet e Ballkanit Perëndimor i nënshtrohen transportit intermodal.

Nga ana tjetër edhe portat kufitare të vendeve të Ballkanit vazhdojnë të përbëjnë një pengesë në transport. Kohët e gjata të pritjes në portat kufitare jo vetëm që rrisin koston e transportit, por bëhen shkak edhe i pasigurive që kanë lidhje me shërbimin e transportit. Kohët e gjata të pritjes në portat kufitare përveç infrastrukturës ekzistuese ndodhin gjithashtu edhe për shkak të procedurave që zbatojnë vendet përkatëse. Edhe pse situatat e vështira lidhur me portat kufitare të vendeve të Ballkanit janë lehtësuar pjesërisht gjatë viteve të fundit, praktikat në fuqi vazhdojnë të pengojnë integrimin ekonomik rajonal dhe zhvillimin e transportit intermodal.

Një sistem më efikas i transportit në vendet e Ballkanit është i nevojshëm jo vetëm për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendeve të rajonit, por edhe për transportin transit ndërkombëtar. Veçanërisht lindja e shteteve të rinj të pavarur dhe hapja e portave të reja kufitare në periudhën pas viteve 1990 në Ballkan ka ndikuar negativisht edhe transportin ndërkombëtar transit në rajon.

Zhvillimet në infrastrukturën e transportit në vendet e Ballkanit janë gjithashtu të rëndësishme edhe për Turqinë. Në përgjithësi Turqia më shumë se 50 për qind të eksportit të saj e realizon në vendet evropiane. Ndërsa Ballkani është një rajon transit i rëndësishëm për tregtinë e jashtme të Turqisë me vendet e Evropës Perëndimore. Për transportin e mallrave kamionët turq udhëtojnë në vit rreth 200 mijë herë përmes vendeve të Ballkanit për të shkuar e ardhur në Evropën Perëndimore.

Bashkimi Evropian (BE) është aktori kryesor në ristrukturimin e infrastrukturës së transportit në vendet e Ballkanit. Përpjekjet që po bën Brukseli për të eliminuar dallimet e mëdha midis Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore në aspektin e transportit, nga njëra anë mundësojnë përhapjen e standardeve të veta të transportit në vendet e reja anëtare, kurse në anën tjetër synojnë tërheqjen e vendeve kandidate dhe atyre potenciale për kandidat të Ballkanit në sistemin evropian të transportit. Vetëm se për shkak të financimit të pamjaftueshëm, ky proces nuk po përparon me shpejtësinë e dëshiruar.

Edhe pse Turqia është e angazhuar për të mbështetur projektin e autostradës Sarajevë-Beograd, e cila pritet të kushtojë rreth 800 milionë euro, ende nuk janë ndërmarrë hapa konkrete në lidhje me këtë projekt, pasi Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia nuk kanë rënë dakord mbi itinerarin që duhet të ndjekë kjo autostradë.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

TRT Shqip

Aktualitet

Archives