7 vatra zjarri mbajnë në alarm zjarrfikëset dhe ushtrinë

Shtatë vatra zjarri janë shënuar në 24 orët e fundit në gjithë vendin, ndërsa zjarri në Karmë në Vaut të Dejës ka prekur edhe pyjet në bashkinë e Pukës.

Forcat e zjarrfikësve të Shkodrës kanë ndërhyrë, por për shkak të terrenit të thyer nuk kanë mundur të shuajnë flakët. Për këtë është ndërhyrë edhe nga ajri me anë të një helikopteri.

Më pas, për shkak të erës së fortë dhe ndryshimit të drejtimit të saj zjarri ka kaluar në fshatin Karmë, të Pukës ku për pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, kullotë dhe disa lisa. Vatrat e zjarrit po monitorohen nga afër.

Në fshatin Muhurr Dibër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me pisha. Zjarrfikëset e kanë pasur të pamundur të shuajë flakët, për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë ka shkuar edhe një helikopter i cili ka bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Në fshatin Lenë, Bulqizë, zjarri ra në një sipërfaqe pyjore me pisha. Në orët e mbrëmjes është kryer dhe evakuimi i disa banorëve për arsye sigurie pasi vatrat e zjarrit ndodheshin pranë banesave. Në orët e para të mëngjesit, ka ndërhyrë helikopteri për të shuar vatrat e zjarrit.

Paraditen e së premtes janë riaktivizuar vatrat e zjarrit në fshatin Skuraj Kurbin. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 20 forca ushtarake për të shuar flakët.

Në fshatin Kreshpan, Fier, zjarri dogji një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe një plantacion me ullinj. Në fshatin Radhimë Vlorë, zjarri përfshiu një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte, por pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e vogël me shkurre dhe disa rrënjë ulliri.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 46 punonjës zjarrfikës, 7 automjete zjarrfikëse, 40 forca ushtarake, rreth 40 punonjës të Pyjores e të bashkive, të mbështetur edhe nga helikopterë.

Aktualitet

Archives