Rama kritikë ambasadorëve: Si ka mundësi që s’keni sjellë asnjë investim

Kryeministri Edi Rama në një takim të mbajtur ditën e sotme me ambasadorët e Shqipërisë në shtetet e tjera, në ambientet e ministrisë së Punëve të Jashtme, tha se kjo ministri nuk i lan dot më duart për sa i takon çështjeve të ekonomisë.

Por ai shtoi se çështja është si dhe sa do të përmirësohet roli i politikës së jashtme lidhur me ekonominë e vendit.

Rama nënvizoi nevojën për një qasje radikalisht të re, duke thënë se janë të gjitha aftësitë për ta përballuar me dinjitet dhe efikasitet këtë sfidë.

“Askush këtu apo jashtë mureve nuk mund të thotë një fjalë apo shifër në raport me ekonominë e vendit nëse do të pyetet sa ka ndikuar aktiviteti i diplomacisë shqiptare në rritjen e shkëmbimeve tregtare apo investimeve në vend”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se puna e shefit të ri të diplomacisë shqiptare do të matet çdo vit.

Në vijim shtoi se e ka të vështirë të kujtojë se në mandatin që po mbyllet, të ketë takuar në zyrën e tij investitorë që kanë shfaqur interes se si mund të bëhet biznes në Shqipëri.

Rama pyeti ambasadorët se “Si ka mundësi që të jeni kaq të avashtë dhe të mefshtë, për të hartuar platforma në mënyrë që realiteti ekonomik të zhvillohet”.

Po ashtu, nënvizoi se nuk di si ta justifikojë këtë boshllëk dhe nuk pajtohet dot me mungesën e interesit të diplomatëve tanë nëpër botë për të mësuar nga praktikat e suksesshme të zhvilluara nga të tjerët.

Aktualitet

Archives