Ligji i legalizimet, do të ndryshojë

Qeveria do të ndryshojë ligjin për t’i hapur rrugë legalizimit të rreth 160 mijë objekteve informale, të cilat kanë probleme dhe nuk mund të legalizohen me ligjin aktual.

Artan Lame tha se i gjithë sektori i pronës do i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila ka një qëllim kryesor: “Përmbyllja tërësore e procesit të legalizimeve dhe gjetja e zgjidhjeve ligjore për objektet për të cilat legjislacioni aktual nuk lejon legalizimin. Për këto arsye jemi duke përgatitur një bllok ndryshimesh dhe përmirësimesh ligjore si dhe përmirësimesh përkatëse për t’i dhënë udhë këtyre problematikave komplekse”.

Shqipëria ka rreth 323 mijë objekte informale, por vetëm gjysma mund të legalizohen me ligjin aktual. Sipas Lames, për 88% të tyre legalizimi ka përfunduar.

“E gjetëm institucionin në vitin 2013 pas tetë vjetësh qeverisje të djathtë me vetëm 21 mijë legalizime të kryera dhe sot kemi arritur në shifrën e 144 mijë e 154 legalizimeve të kryera. Nga 320 mijë objekte që ishin në sistem, në 306 mijë e ca prej tyre ka përfunduar verifikimi në terren”, tha Lame.

Lame shtoi se vitin e fundit ka nisur puna edhe për zhbllokimin e një tjetër ngërçi, sipas tij, të madh: “Atë të legalizimit të pallateve të braktisura nga pronarët apo me problematika të mbajtura është një nga proceset me të vështira për shkak të kompleksitetit që ka secili rast dhe jam i kënaqur që procesi tashmë vijon me siguri”.

Paralelisht, Lame tha se të gjitha agjencitë shtetërore në sektorin e pronave, si ALUIZNI dhe hipotekat do t’i nënshtrohen një ristrukturimi të thellë, jo vetëm për të përshpejtuar procesin e legalizimeve, por edhe për të rritur sigurinë e pronës.

Aktualitet