Ndahet nga jeta ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi

????????????????????????????????????

Ka ndërruar jetë ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Rexhepi u nda nga jeta sot në moshën 63 vjeçare në një prej spitaleve të Turqisë.

Ai ndodhej në gjendje kome prej muajsh, pas një sulmi në tru.

Ai fillimisht ishte shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku edhe i është nënshtruar operacionit mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë ishte transferuar në Turqi.

Rexhepi u emërua si kryeministër i Kosovës në vitin 2002.

Me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Rexhepin si Kryeministrin e parë të Kosovës dhe Ibrahim Rugovën si president; të dy konsiderohen si politikanë të moderuar.

Mesazhet e ngushellimit

Personalitete të shumta nga politika në Shqipëri e Kosovë kanë përcjellë mesazhet e tyre të ngushëllimit.

Lulzim Basha, kreu i PD-se: Bajram Rexhepi ishte njeri i veçantë dhe shqiptar i madh. Pak njerëz i kanë shërbyer popullit të tyre si ai, duke u kujdesur me përkushtim si mjek për jetët e njerëzve, duke luftuar për lirinë e tyre dhe duke drejtuar përpjekjet e tyre për demokraci dhe përparim.

Kam patur nderin të takohem shpeshherë me Bajramin dhe do të ruaj përherë brenda meje mbresat e pashlyera për dinjitetin, përunjësinë dhe mirësinë e tij.

Në këto momente të dhimbshme të ndarjes së tij të parakohshme nga jeta bashkoj lutjet e mia me ato të familjarëve dhe miqve të tij. U prehtë në paqe! I paharruar kujtimi i tij!​

Presidenti Hashim Thaçi: “I shkatërruar nga lajmi për vdekjen e parakohshme të ish-kryeministrit, ministrit, mikut të dashur dhe kolegur Dr.Bajram Rexhepi. Ngushëllime për familjen dhe miqtë”.

Ramush Haradinaj: Me dhimbje të thellë kam marrë lajmin për vdekjen e hershme të Bajram Rexhepit, një personaliteti të rëndësishëm në vend. Kosova ka humbur një njeri të përkushtuar për lirinë e demokracinë e saj, ish-kryeministrin e parë të saj, që ka udhëhequr së bashku me forcat tjera politike me procesin e vështirë të rimëkëmbjes së vendit dhe një mjek të shkëlqyer që ka ndihmuar njerëzit në kohë lufte e paqeje. 
Në këto çaste të dhimbjes jemi bashkë me familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. 
I qoftë i lehtë dheu”.

Aktualitet

Archives