Rama i uron ministrat teknikë. “Suksese në jetë”!

Kryeministri Edi Rama përshëndet dhe vlerëson punën e bërë nga ministrat teknike, të cilët ditën e djeshme dorëzuan zyrtarisht dorëheqjen.

Duke i falenderuar ministrat teknikë të Partisë Demokratike për kontributin e dhënë dhe posaçërisht zëvendëskryeministren  Ledina Mandia, për rolin konstruktiv e për nivelin profesional në drejtimin e Task Forcës për zgjedhjet, Kryeministri Edi Rama shpreh keqardhjen për raportin e dalë prej tyre lidhur me zgjedhjet e 25 qershorit.

Rama shpreh keqardhjen për atë që e quan, përmbylljen e kësaj eksperience pozitive me të ashtuquajturin material përmbledhës për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2017.

“Raporti në fjalë fatkeqësisht kompromenton si një epilog krejt i pavend, gjithçka të mirë u ndërtua në funksion të zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë. Ky raport është një dokument politik, krejt i njëanshëm dhe aspak në nivelin e lartë profesional të zëvendëskryeministres teknike, si drejtuese e Task Forcës në fjalë”, thuhet në deklaratën e zyrës së Kryeministrit.

Sidoqoftë, Kryeministri i falenderon ministrat teknikë për gjithçka të mirë bënë apo u përpoqën të bënin gjatë mandatit të tyre të posaçëm.

Duke u shprehur mirëkuptimin e tij të plotë, qoftë për disa gafa të bujshme sipas tij, e krejt të panevojshme pas zgjedhjeve në sektorin e arsimit, qoftë për mbytjen në fund fare në “lugën e ujit të politikës”, prej ku thotë Rama, ka dalë edhe raporti i njëanshëm, joteknik e joprofesional i Task Forcës, Kryeministri Edi Rama u uron zonjave e zotërinjve të dorëhequr “shëndet e suksese të mëtejshme në jetë!”

Aktualitet

Archives