Dialogu rifillon pas krijimit të institucioneve të reja

????????????????????????????????????

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pret që vazhdimi i dialogut të bëhet në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm. Mirëpo, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë një porosi për të në lidhje me këtë çështje.

Ministrja në largim e Dialogut, Edita Tahiri porositë Serbinë që të merren me zbatimin e tetë marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Në një prononcim për Indeksonline, ajo thekson se rifillimi i dialogut do të bëhet vetëm pas krijimit të institucioneve të reja në Republikën e Kosovës.

“Porosia ime për Serbinë dhe Vuçiqin është që le të merren me zbatimin e marrëveshjeve sepse janë tetë marrëveshje që Serbia nuk i ka zbatuar. Ndërsa rifillimi i dialogut bëhet pas krijimit të institucioneve të reja në Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa angazhimet e mëdha për rifillimin e dialogut nga ana e Serbisë, sipas Tahirit nuk  i mbulojnë shkeljet që ata ia bënë marrëveshjeve.

“Serbia nuk mund të mbuloj shkeljet që ia bënë marrëveshjeve me deklarata boshe gjoja si angazhim për dialog”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, ndërprerja e dialogut është bërë që në muajin mars të këtij viti, pas ndalimit që iu bë liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj me urdhërarrest të Serbisë në Francë.

Aktualitet

Archives