Ulen vatrat e zjarreve: Sot numërohen vetëm 5

Përmirësohet dukshëm situata e zjarreve në të gjithë vendin. Emergjencat Civile raportojnë sot se janë shënuar 5 vatra zjarri në të gjithë vendin.

Në qarkun Shkodër, Lezhë dhe Dibër janë shuar zjarret, ndërsa në Tiranë sot nuk janë raportuar vatra zjarri.

Ndërkohë në qarkun Vlorë janë drejt shuarjes të gjitha vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Finiq dhe Delvinë. Po kështu dhe në pyllin me pisha të larta në vendin e quajtur Pisha e Panaritit në fshatin Panarit të Korçës vatrat janë drejt shuarjes.

Raporti i Emergjencave Civile 

Qarku Vlorë janë aktive vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Finiq dhe Delvinë. Situata ka qenë problematike në fshatin Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme, Njësia Administrative Dhivër, bashkia Finiq, si dhe në pyllin e Pilloit të fshatit Vergo, Njësia Administrative Vergo, bashkia Delvinë.

Helikopteri ka kryer disa operacione nga ajri duke hedhur ujë dhe ka shuar gati të gjitha vatrat e zjarrit në fshatin Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme.

Në qarku Korçë ka rënë zjarr në pyllin me pisha të larta në vendin e quajtur Pisha e Panaritit në fshatin Panarit, Njësia Administrative Vithkuq. Në vendngjarje kanë shkuar 1 automjet zjarrfikës dhe forca zjarrfikëse, si dhe 12 forca të pyjores, të cilat nuk kanë mundur të izolojnë zjarrin për shkak të terrenit të thyer.

FA ka dërguar në këtë fshat 20 forca ushtarake për të shuar zjarrin. Helikopteri kreu disa operacione ajrore duke bërë të mundur që të izolonte zjarrin në fshatin Panarit dhe të eliminonte përhapjen e tij.  Sot forcat po punojnë për të shuar plotësisht zjarrin.

Në qarku Shkodër ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra që ndodheshin midis banesave në lagjen “Suma” të Njësisë Administrative Bushat, bashkia Vau-Dejës.
Shërbimi vendor i MZSH Vau-Dejës meqenëse nuk disponon automjet zjarrfikës ka dërguar në vendngjarje 10 forca zjarrfikëse, kurse Shërbimi vendor i MZSH Shkodër ka dërguar për ndihmë 1 automjet zjarrfikës dhe 4 forca zjarrfikëse, të cilat kanë punuar duke izoluar fillimisht zjarrin dhe më pas e kanë shuar plotësisht atë. Si pasojë e zjarrit u dogjën vetëm shkurre dhe ferra.

 Në qarku Lezhë ka rënë zjarr në kallamishtet e kanaleve ujëmbledhës që ndodhen ndërmjet banesave në fshatin Tale, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë.

Shërbimi vendor i MZSH Lezhë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues, të cilët kanë punuar për të shuar zjarrin, por era e fortë ka bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi duke rrezikuar banesat.

SHPFA ka dërguar 2 automjetet zjarrfikëse me 10 forca zjarrfikëse në fshatin Tale. Forcat zjarrfikëse kanë punuar me automjetet zjarrfikëse dhe kanë shuar zjarrin duke eliminuar rrezikun e përhapjes së tij drejt banesave.

Në qarku Dibër ka vazhduar puna nga forcat zjarrfikëse, forca të pyjores, 25 forca të ushtrisë dhe 16 forca vullnetare, të cilat kanë shuar plotësisht vatrat aktive të zjarrit në fshatin Bllacë, Njësia Administrative Shupenzë, bashkia Bulqizë. Vatrat e zjarrit janë shuar edhe si rezultat i reshjeve të rëna gjatë orëve të para të ditës së djeshme.

Aktualitet

Archives