DOKUFEST XVI shpall fituesit

Edicioni I 16-të të Dokufest ka mbyllur siparin e tij me një jave të jashtëzakonshme në Prizren, ku ishin të pranishëm kineastë nga vende të ndryshme të botës. Ceremonia e ndarjes së çmimeve, u mbajt në kinemanë e qytetit “Lumbardhi”. Ndarja e çmimeve, e ndjekur nga diskutime të jurisë, vuri në fokus plot 102 filma, përfaqësues të 50 shteteve gjatë konkurrimit për 6 kategori të ndryshme, duke përfshirë dhe çmimin e audiencës.

Aktivitetet e festivalit përfshinë të tilla, si: shfaqja e 254 filmave nga 63 shtete, punëtori, diskutime, debate, masterclass-e, ekspozita dhe një seri të performancave live të njohura si DokuNights, të cilat në vetvete mikpritën yje botërorë në skenën “Andrra”, si Princess Nokia dhe shumë artist të tjerë te njohur. Sërish për të satin vit rradhazi, Prizreni u shndërrua në një qytet të zhytur thellësisht në magjinë e kinemasë, kulturës dhe shpresës për të ardhmen. Garën për filmin më të mirë për Ballkanin e fitoi “Buffet” nga Goran Dević. Juria e përbërë nga Karen Cirillo, Mimi Brody, Ognjen Glavonić. E vlerësoi këtë film si një portret i punuar në mënyrë eksperte të një komuniteti që lufton me realitetet ekonomike të popullatës që po pakësohet. Me shkathtësi kap pronarët e kafenesë dhe vizitorët me humor të hollë dhe një intimitet që tregon se sa e vështirë është t’i thuash lamtumirë shtëpisë.

E njëjta juri zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për Filmin më të mirë të Ballkanit filmin, ONI SAMO DOLAZE I ODLAZE nga Boris Poljak me motivacionin “ ONI SAMO DOLAZE I ODLAZE/ THEY JUST COME AND GO është një film lozonjar në aspektin vizual dhe një alegori që të lë gojëhapur, i dedikuar të pikturojë në mënyrë të hollë një botë në të cilën, nga agimi në perëndim, kapet jeta njerëzore në shkallë të ndryshme të dëshirës dhe pasigurisë në të gjitha ndërthurjet e veta pa drejtim”. Filmi më i mirë nga regjisori i ri Ballkanik u shpall “My life without air” nga Bojana Burnać me motivacionin “për qasjen e tij të freskët dhe origjinale dhe fotografinë e mrekullueshme. Me një bindje që nuk shihet shpesh në filmat debutues, Bojana Burnac i beson subjektit të saj dhe audiencës dhe e le tregimin e saj të shpaloset ngadalë për të zbuluar personalitetin dhe realitetin e një zotëruesi tepër privat të rekordit botëror”. Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për “Filmin më të mirë nga regjisori ballkanik në ardhje, filmin Gora nga Stefan Malešević me motivacionin “Vlerësimi special shkon për filmin e Stefan Malešević i mrekullueshëm në aspektin vizual dhe meditimin e pasur lehtas për një komunitet të maleve dhe natyrës, kafshëve dhe njerëzve. Koha, tradita, ritmi dhe rregullat e jetës në Gora me kuriozitetin dhe vëzhgimin e autorit sillen më afër atyre që mund të mos kenë kurrë shansin ta vizitojnë këtë pjesë të botës”. Filmi më i mirë dokumentar i metrazhit të gjatë u vlerësua “El Mar La Mar” nga Joshua Bonnetta, J.P. Sniadecki. Juria e përbërë nga Carmen Gray, Cíntia Gli, Melody Gilbert, Rodolfo Castillo-Morales, Ëood LIN e vlerësoi me motivacionin “Vështrimi i regjisorit në kohë dhe peizazhin e shkretëtirës në kufi mes SHBA dhe Meksikës, me filmin 16mm. Shenjat e jetës njerëzore vështirë se duken, por shkretëtira e zbrazët përgjatë kolonës zanore shërben si metaforë e gjallë e gjithçkaje të dukshme, megjithatë ndikuese, për jetët tona të përditshme. Aspektet gjeografike, ideologjike dhe politike po ashtu janë ndriçuar përmes strukturës narrative siç edhe e shpjegon udhëtimi. El Mar La Mar është një poemë e bukur dhe një deklaratë tepër politike me sinqeritet në kontekstin bashkëkohor”. E njëjta juri zgjodhi dhe për “Çmim Special” në kategorinë për filmin më të mirë dokumentar ndërkombëtar të metrazhit të gjatë filmin 69 minutes of 86 DAYS nga Egil Håskjold Larsen me motivacionin “Një film i ndjeshëm që përshkruan udhëtimin e një familje përmes syve të pafajshëm, në kohë të vështira dhe të pasigurta të politikës dhe të ankthit shoqëror, ku mund të interpretohen shumë qasje drejt thelbit të filmit, të duhura apo problematike”. Filmi më i mirë dokumentar me metrazh të shkurtër është “If only there peace “ nga Carmine Grimaldi, Deniz Tortum. Filmi më I mirë për të drejtat e njeriut u shpall “The war show” nga Andreas Dalsgaard, Obaidah Zytoon

“ Juria është impresionuar nga forma e punuar mirë e filmit, intimiteti i kamerës së tij dhe kualiteti reflektiv i rrëfimit të tij. Filmi arrin të ofrojë një pamje të afërt të rezistencës në Siri; ai është një homazh i bukur për aktivizmin politik dhe në fund, një tregim intim i miqësisë së humbur shumë shpejt. Ajo çka fillon si një tregim personal transformohet në një rrëfim guximi gazetaresk dhe përkushtimi për të dokumentuar ndikimin brutal të luftës në jetët njerëzore prej afër”, shprehej juria për këtë film. Në garën kombëtare fitoi ‘Sans le Kosovo” nga Dea Gjinovci.”Një zë i ngrohtë dhe poetik përshkon rrugëtimin e sinqertë e delikat të një vajze dhe babait të saj ndërsa së bashku provojnë të kuptojnë plagët e së kaluarës.

Juria e Garës Kombëtare vlerëson filmin SANS LE KOSOVO / PA KOSOVËN nga Dea Gjinovci si filmin më të mirë dhe siç përkon me temën e këtij edicioni të DokuFest, urojmë që regjisorja ta vazhdoj këtë kërkim drejt të vërtetës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor, sepse një e ardhme e mbarë e pret!!!”, thuhej në motivacion.

“Çmim Special” në kategorinë për garën kombëtare mori dhe filmi ETHNOPHOBIA.” Për vëmendjen e treguar ndaj çdo detaji, për sensin e fortë të humorit, për dashurinë, durimin, si dhe mjeshtërinë regjisoriale të treguar, juria vendosi të ndaj dhe një çmim special: Special Mention për filmin ETHNOPHOBIA nga Joan Zhonga i cili na ka dhuruar një film të hareshëm që prek njësoj si zemrat e fëmijëve, ashtu edhe të të rriturve”, thuhej në motivacion. Çmimi I audiencës shkoi për “:Me dasht’ Me dasht’ Me dasht’ nga Ilir Hasanaj.

Alda Bardhyli (gazeta-Shqip.com)

Aktualitet

Archives