Operacione për riatdhesimin e azilantëve shqiptarë

Një avion ‘charter’ me 30 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil politik në Francë mbërriti në mes të kësaj jave në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza“.

Ky është avioni i tretë, ndërsa një tjetër pritet të mbërrijë brenda pak ditësh, çka dëshmon se bashkëpunimi me Francën për kthimin e tyre është në një fazë të re.

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda përcolli mesazhe të qarta për të gjithë ata shtetas që tentojnë për të udhëtuar drejt Francës, apo vende të tjera të BE-së me qëllim kërkimin e azilit politik.

Ajo tha se shanset për azil në vendet e BE-së janë zero, pasi Shqipëria është vend i sigurt. “Jemi përsëri në Rinas, këtu në një operacion tjetër të riatdhesimit të azilkërkuesve shqiptarë të kthyer nga shteti francez nëpërmjet një charteri. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për t’u thënë se shanset për azil në vendet e BE janë zero. Tashmë prej 3 vitesh Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra një vend i sigurt. Ndaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë të jenë ndërgjegjshëm që sigurisht lëvizja e lirë nuk do t’u cënohet. Patjetër që ata kanë të drejtë brenda kufijve të zonës Schengen të lëvizin, kanë lirinë e tyre, por duhet të respektojnë patjetër edhe rregullat e kësaj lëvizjeje…” deklaroi Voda.

Ajo theksoi se në kuadër të kësaj edhePolicia e Shtetit ka marrë një plan masash, ka nxjerrë disa urdhra për të monitoruar lëvizjet e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve shqiptarë në kufijtë e Republikës së Shqipërisë…

Ua kërkojmë, ua çojmë këtë mesazh ndërgjegjësimi të gjithë shtetasve shqiptarë për të mos rrezikuar atë që ne arritëm me shumë mund, lëvizjen tonë të lirë brenda kufijve të BE-së. Urdhri i nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar, ka të bëjë me forcimin e masave të kontrollit kufitar”, tha Voda.

Për këtë qëllim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, inspektoi Pikën e Kalimit Kufitar në Qafë-Thanë, për të parë nga afër zbatimin e masave për sezonin turistik, dhe masat e shtuara për parandalimin e azil-kërkimit.

“…Të gjithë shtetasit shqiptarët që deportohen ose kthehen në shkelje të konstatuar në vendet e BE-së, jo vetëm që penalizohen në të drejtën e tyre për të lëvizur, por do të kontrollohen rreptësisht për të qarkulluar në këto vende…”.

Ndërkaq, Çako thekson se tashmë ka ulje të numrit të shqiptarëve që kërkojnë azil.

“…Numri i azilkërkuesve ka rënë ndjeshëm pasi edhe shtetasit shqiptarë janë ndërgjegjësuar, janë orientuar qartazi pasi mënyra për të punuar në BE është ajo e ligjshmja…”, u shpreh Çako.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka zhvilluar dhe një takim me Drejtorin për Kufirin e Rajonit të Ohrit, Xhelal Lata. Gjatë bisedës u vlerësua realizimi i projektit të patrullimit të përbashkët në të dy shtetet gjatë sezonit turistik.

Aktualitet

Archives