Zjarri në Velipojë. Thellohet tragjedia në familjen Zenuni, pas babait vdes dhe djali

Ka gjetur vdekjen në spital djali i pronarit të lokalit në Velipojë i cili më 28 korrik si pasojë e një rrjedhje gazi, shpërtheu në flakë.

Hektor Zenuni 33 vjeç, ndërroi jetë paraditen e sotme në një spital në Turqi, ku u dërgua për marrjen e kurimit më të specializuar për shkak të djegieve të rënda.

Por ashtu si i ati Besnik Zenuni 55 vjeç, i cili gjeti vdekjen më 30 korrik për shkak të djegieve në 95% të trupit, edhe i biri pati të njëjtin fat, por pak ditë më vonë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 28 korrik, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit, nga cisterna 1 mijë litërshe, lokali i një resorti në Velipojë u përfshi nga flakët, ku për pasojë dhjetëra persona mbetën të lënduar.

Hektor Zenuni hyri në lokal për të shpëtuar të atin i cili ndodhej brenda, por mbeti edhe vetë i përfshirë nga zjarri.

Mes të plagosurve, më e rëndë u paraqit situata për pronarin e lokalit dhe djalin e tij, të cilët gjetën vdekjen pak ditë pas ngjarjes, njeri pas tjetrit.

Ky incident mund të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë nëse në lokal do të kishte klientë, por për fat të mirë shumica e frekuentuesve ishin në det.

Aktualitet

Archives