DASH: Shqipëria mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terrorizmit

Shqipëria ishte mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terroriste në vitin 2016 dhe ka vazhduar pjesëmarrjen në koalicionin global për mposhtjen e ISIS-it, duke bërë dhurime të konsiderueshme më armë dhe municione, thuhet në raportin e Departamentit amerikan i Shtetit për Shqipërinë.

Më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2016 një operacion i bashkërenduar rajonal kundër terrorizmit çoi në arrestimin e katër vetave në Shqipëri. Operacioni parandaloi një sulm të mundshëm në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të mbahej në Shkodër më 12 nëntor. Të arrestuarit u akuzuan për mbështetje financiare e logjistike të ISIS-it, duke rekrutuar njerëz në emër të tij dhe duke nxitur gjuhë të urrejtjes.

Në raport vlerësohet se Shqipëria ka penalizuar të gjitha veprimtaritë që kanë të bëjnë me terrorizmin, nxitjen dhe financimin e tij, rekrutimin e pjesëmarrjen në organizata terroriste. Në vitin 2016, nëntë të akuzuar në lidhje më veprime të tilla, u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 7 deri në 18 vjet heqje lirie. Një gjykatë e apelit në muajin nëntor, zbuti dënimet për pesë veta.

Në raport thuhet se Shqipëria ka shtuar përpjekjet për kundërvënie ndaj kërcënimeve terroriste. Në këtë kuadër përmendet bashkëpunimi i ngushtë i Njësisë së zgjeruar Kundër Terroriste të Policisë së shtetit me Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe Programin Mbështetës Trajnues të Hetimit të Krimit Ndërkombëtarë ICITAP. Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe financimin e Departamentit amerikan të shtetit, ICITAP-i ka siguruar pajisje dhe trajnime për qeverinë shqiptare, për mbledhjen e gjurmëve të gishtërinjve në vendkalimet kufitare. Kjo ka shtuar mundësitë e policisë shqiptare që të mbledhë të dhënat biometrike për individë të caktuar në vendkalimet kufitare.

Departamenti amerikan i Drejtësisë me programin e tij të vendosur në Tiranë, ka vazhduar të ofrojë mbështetje dhe trajnim për prokurorët, zyrtarët e sundimit të ligjit dhe hetuesit financiar, analistët e zbulimit dhe gjykatësit nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Serbia që punojnë me rastet e luftëtarëve të huaj dhe rastet e lidhura me terrorizmin.

Në raport thuhet se korrupsioni i shoqëruar edhe me funksionimin e dobët të sistemit të drejtësisë ka vazhduar të pengojë përpjekjet për sundimin e ligjit në të gjitha nivelet në Shqipëri.

Shqipëria është pjesë e organizatave që luftojnë financimin e terrorizimit dhe që nga qershori i vitit 2012, ajo ka punuar në adresimin e dobësive në këtë fushë duke shënuar përparime të konsiderueshme.

Në vitin 2015 qeveria shqiptare hartoi dhe miratoi strategjinë kombëtare për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në vitin 2016, qeveria emëroi bashkërenduesin kombëtar për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm që është i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të strategjisë kombëtare.

 

Ajo në shtator të vitit 2016, ishte mikpritëse e një tryeze dyditëshe mbi radikalizmin dhe rekrutimin e luftëtarëve të huaj. Qeveria shqiptare ishte bashkorganizatore e një ngjarjeje në New York me temën “Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet arsimimit” për të veçuar rolin që ka arsimi në nxitjen e tolerancës dhe gjithëpërfshirjes në mesin e të rinjve. Qeveria shqiptare ka zhvilluar një program sprovë për të trajnuar mësimdhënësit që të zbatojnë plan-programet arsimore mbi tolerancën fetare në shkolla, thuhet më tej në raportin e Departamentit amerikan i Shtetit për Shqipërinë.

 

Aktualitet

Archives