Dy trafikantët të heroinës dhe kokainës në Shkodër, hedhin çantat dhe largohen

Bllokohet në Shkodër katër kilogramë heroinë dhe 32 kanabis sativa, e destinuar për t’u trafikuar.

Në kuadër të operacionit të koduar “Bukoviç”, Policia Kufitare e Shkodrës, që patrullojnë në vijën e gjelbër ka marrë informacion në rrugë operative se në vendin e quajtur “Bukoviç”, kishte lëndë narkotike.

Në këtë zonë të Njësisë Administrative Kastrat, Malësi e Madhe, pasditen e djeshme, e diel rreth 100-150 metër larg kufirit të gjelbër, dy persona po transportonin lëndë narkotike në drejtim të Malit të Zi.

Efektivët e Policisë Kufitare menjëherë janë vënë në ndjekje të tyre si dhe kanë kërkuar mbështetje me forca të tjera.

Dy personat që po transportonin lëndën narkotike sapo kanë diktuar se po ndiqeshin nga policia kanë braktisur lëndën narkotike dhe duke përfituar nga terreni i vështirë malor dhe me shkurre të dendura, kanë arritur ti shpëtojnë ndjekjes së policisë.

Grupi hetimor ka gjetur në vendngjarje dy thasë ku brenda tyre kishte lëndë narkotike dhe pas peshimit rezultuan me peshë 32 kilogramë kanabis.

Gjithashtu në afërsi të thasëve u gjetën dhe dy qese plastmasi me lëndë narkotike, ku pas peshimit rezultuan 4 kilogramë 124 gramë të llojit heroinë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Dy të rinj nga Shkodra të cilët janë identifikuar, janë shpallur në kërkim, por për arsye hetimi nuk jepen të dhëna të mëtejshme.

Aktualisht po vijon puna për kapjen dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

Ndaj të dyshuarve materialet i kaluan Prokurorisë Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë dhe në bashkëpunim.

Aktualitet