Fjalimi i Presidentit Erdogan në Urën e Dëshmorëve të 15 Korrikut

 

Vallë kush mund të prangosë një popull, që ecën përpara pa iu dridhur syri nga plumbat dhe që atyre, të cilët i thonë “tërhiqu ose do të vdesësh”, u përgjigjet me fjalët: “Nëse jo sot, atëherë kur u dashka të vdetë vdesim?!

Të çmuar vëllezër, porosi e dëshmorëve tanë,

Të nderuar vëllezër të mi veteranë,

Të dashur banorë të Stambollit, që po merrni pjesë në këtë aktivitet duke ardhur në Urën e Dëshmorëve të 15 Korrikut nga të 4 anët e qytetit,

Shumë të vyer qytetarë, që keni mbushur përsëri sheshet në çdo skaj të Turqisë, në këtë përvjetor të parë të përpjekjes tradhtare të 15 Korrikut,

Populli im i shenjtë,

Ju përshëndes të gjithëve nga thellësia e zemrës, me dashuri dhe respekt!

Si sot, plot një vit më parë, në këto çaste, së bashku me shumë vende të tjera të atdheut tonë edhe këtu, me emrin e atëhershëm në Urën e Bosforit, kishte nisur një tentativë tradhtare.

Ajo që nisi si manovër e pakuptimtë për pak kohë me bllokimin e urës nga puçistët, që kishin ardhur këtu me tanke dhe autoblinda, pa kaluar shumë u kuptua se çfarë qëllimi kishte.

Puçistët, që bllokuan urën, donin t’u thoshin të gjithë Stambollit, të gjithë Turqisë dhe të gjithë botës: “Tani kontrolli është në duart tona!”

Pak a shumë rreth të njëjtës ore, informacione të ngjashme për tentativa pushtuese kishin filluar të vinin gjithashtu nga zona të ndryshme të Stambollit dhe të Ankarasë.

Populli ynë, duke parë metodën dhe stilin e ngjarjeve, kuptoi menjëherë se pas kësaj përpjekjeje për grusht shteti qëndronte banda tradhtare e FETO-s.

Sapo konstatoi që Turqia gjendej përballë një sulmi, një tentative okupuese përmes rrjetit tradhtar të FETO-s, populli ynë u hodh urgjentisht në veprim.

Në përgjigje të thirrjes së Kryeministrit dhe apelit tim nga ekranet televizive, miliona qytetarë tanët u tubuan nëpër rrugë, sheshe dhe përpara kazermave, kundër puçistëve.

Qëndresat më madhështore dhe sulmet më të përgjakura u përjetuan në Stamboll dhe Ankara.

Në qytetet e tjera, puçistët janë izoluar nga populli ynë dhe ushtarët tanë atdhedashës pa gjetur shansin për të vepruar.

Kjo pikë, Ura e Dëshmorëve të 15 Korrikut, është pikërisht vendi ku u derdh më shumë gjak në Stamboll.

Plot 36 qytetarë u martirizuan përpara tankeve, që kishin bllokuar urën.

Në Saraçhane ranë dëshmorë gjithashtu rreth 20 vetë.

Dhjetëra martirë u regjistruan po ashtu në Çengelkoy, në Aeroportin “Ataturk”, përpara kazermës së artilerisë së rëndë në Esenler, në ndërtesën e Telekomit Turk dhe në vende të tjera.

Në Ankara, mbi 40 qytetarë rendën me një frymë për t’u bërë dëshmorë përreth qendrës Kizilay, ku ndodhen Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë dhe Kuvendi.

Kishim 29 martirë përpara Kompleksit Presidencial.

Tradhtarët, që bombarduan me avion Departamentin e Operacioneve Speciale në Golbasi, martirizuan 53 nga vëllezërit tanë.

Gjithashtu 9 dëshmorë të tjerë ranë në Kazan, qytezë të cilën tani e përmendim me epitetin Karaman, pra, Hero.

Mbi 10 martirë u regjistruan edhe në sulmin kundër Drejtorisë së Policisë në Ankara.

Tanket, armët, helikopterët dhe avionët e zhvatur me forcë nga puçistët ishin të mbushura me bomba, plumba dhe municione nga më vdekjeprurëset.

Ata nuk nguruan aspak që t’i përdornin këto kundër qytetarëve tanë.

Mirëpo çfarë kishte në duar populli, që po u bënte ballë atyre?

S’kishte as armë, as bomba, as dyfekë dhe as tanke.

Por kishte një armë shumë më të efektshme.

Ajo armë ishte imani, besimi në zemrat e tyre.

Siç thotë poeti:

“IMANI ËSHTË AI XHEVAHIR, HYJNOR SA I MADHËRISHËM

E ZEZË ËSHTË SHPIRTI PA IMAN, BARRË, I PANGRITSHËM”

Po… Atë natë, populli ynë triumfoi kundër armëve më moderne të botës vetëm e vetëm me iman.

E kush mund ta robërojë një popull, që i del ballë tankut me tekbir?!

Kush mund ta mposhtë një popull, të cilit s’i shkon as në mendje të kthehet pas, edhe pse dhjetëra vetë qëllohen e bien djathtas e majtas, para e mbrapa; përkundrazi, që u kundërvihet tradhtarëve me të gjetur shansin?!

Vallë kush mund të prangosë një popull, që ecën përpara pa iu dridhur syri nga plumbat, të cilët bien vetëm 3-4 metra përpara; si dhe që atyre, të cilët i thonë “tërhiqu ose do të vdesësh”, u përgjigjet me fjalët: “Nëse jo sot, atëherë kur u dashka të vdesim?!”

Ah, sikur kjo urë të kishte gojë dhe të tregonte ato heroizmat e asaj nate…

Ah, sikur çdo pëllëmbë tokë, çdo gurë dhe çdo centimetër asfalt, që atë natë u lanë me gjakun e dëshmorëve, të kishin gojë dhe t’i shpjegonin botës se çdo të thotë dhe se si bëhet trimëria…

Sepse gjuha jonë nuk mjafton dhe s’ka aq fuqi sa të shprehë me fjalë të gjitha këto!

Prandaj dua t’ia lë fjalën serish Mehmet Akifit, me poezinë që ai ua ka kushtuar martirëve të Çanakalasë:

“TRUPA MARTIRËSH, SHIKONI NË MALE E GURË…

PA ATË RUKU, S’PËRULESHIN KRYET NË BOTË,

NË LULE TË BALLIT TË PASTËR QËLLUAR, SHTRIRË MBI TOKË,

O ZOT! PËR KËTË GJYSMËHËNË Ç’DIEJ PERËNDOJNË!”

Allahu i mëshiroftë të gjithë dëshmorët dhe të gjithë diejt tanë, që perënduan për këtë gjysmëhënë natën e 15 Korrikut!

U jam mirënjohës të gjithë atyre, që nuk u gjunjëzuan atë natë, edhe pse u plagosën!

Falënderoj çdo individ të populli tim, që i doli zot lirisë, ezanit, flamurit, atdheut, shtetit dhe të ardhmes së tij.

Vëllezërit e mi…

Natën e 15 Korrikut, në sulmet e puçistëve tradhtarë, përcollëm në botën e amshuar 250 dëshmorët tanë.

Kurse në këmbim shpëtuam ardhmërinë e Turqisë 80 milionëshe.

Atë natë, 2 mijë e 194 vëllezërit tanë u plagosën dhe u bënë veteranë për të mbajtur gjallë shpresën e miliona vëllezërve të tjerë, që janë pranë nesh me zemër dhe me vëmendje.

Çmimi që paguam është i rëndë.

Është plotësisht e pamundur të përshkruajmë dhe t’u vendosim një çmim dhimbjeve e lotëve të nënave, baballarëve, bashkëshorteve, vëllezërve dhe fëmijëve.

Po ashtu të paçmueshme janë pavarësia dhe ardhmëria, që fituam në këmbim të këtyre sakrificave.

Ky është dallimi ndërmjet shoqërive të formuara nga njerëz të mbledhur rastësisht dhe popujve-komb.

Shoqëritë qëndrojnë bashkë vetëm për interesa të çastit.

Ndërsa popuj-kombet kanë të kaluar të përbashkët, vlera të përbashkëta, ëndrra të përbashkëta dhe për këto, kur nevojitet, janë të gatshëm të japin jetën.

Populli dhe kombi turk, më 15 Korrik, siç ka bërë disa herë gjatë historisë së tij mijëravjeçare, demonstroi përsëri që s’ka frikë të japë jetën për të mbrojtur më të shtrenjtat e tij.

Ne jemi një popull, që përgjatë historisë kemi përparuar duke u testuar me zjarr për t’u pjekur në kudhrën e sulmeve armike dhe tradhtive.

Sikurse hekuri që rrihet në zjarr për t’u bërë më i çeliktë, ashtu dhe sulmet e tradhtitë, që ne kemi jetuar, na bëjnë më të bashkuar, më të integruar dhe më të fuqishëm.

Tentativa e 15 Korrikut për grusht shteti nuk ishte sulmi i parë ndaj popullit tonë, s’do të jetë as i fundit.

Jemi më se të vetëdijshëm për mllefin shekullor të atyre, që përdorin organizatat terroriste si gurë shahu.

Ne e dimë shumë mirë s FETO-ja nuk është vetëm FETO, se PKK_ja nuk është vetëm PKK, se DAESH-i nuk është vetëm DAESH, se organizatat e tjera terroriste nuk janë vetëm ajo fytyrë që u duket.

Por e vërteta është se për të marrë kalatë, përmbysur oficerët, rrëzuar kuajt dhe për të bërë shahun mat, duhet fillimisht të shtypni ushtarët.

Prandaj ne fillimisht do t’u këpusim kokën këtyre tradhëtarëve.

Më pas do të bëjmë lëvizjet për të mposhtur armiqtë tanë të vërtetë.

Dhe për këtë, do të forcojmë ekonominë tonë.

Do të fuqizojmë ushtrinë tonë.

Do të bëjmë diplomacinë tonë më të fuqishme.

Do të forcojmë infrastrukturën tonë.

Dhe, mbi të gjitha, do të konsolidojmë unitetin dhe solidaritetin tonë.

Nga këtu, i lutem Allahut edhe një tjetër herë që të mëshirojë dëshmorët tanë të 15 Korrikut dhe të luftës kundër terrorizmit, si dhe shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin tonë!

Uroj jetë të gjatë dhe shëndet të plotë për veteranët tanë!

Falënderoj çdo individ të popullit tim, që i dolën për zot kujtimit të martirëve tanë, veteranëve tanë, vendit, shtetit, demokracisë dhe të ardhmes sonë duke marrë pjesë në këto aktivitete me rastin e përvjetorit të parë të 15 Korrikut!

Ju përshëndes të gjithëve me dashuri dhe respekt!

Mbetshi me shëndet!

Aktualitet

Archives