Tentativa për grusht shteti në Turqi, nga errësira në dritë brenda 21 orëve

Tentativa për grusht shteti në Turqi nga një grup oficerësh të organizatës terroriste FETO brenda Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK) që nisi më 15 korrik 2016, ditë e premte, u mor nën kontroll në tërë vendin brenda afërsisht 21 orëve.

Sipas të dhënave që Anadolu Agency (AA) ka siguruar nga aktakuzat e përgatitura nga Kryeprokuroria Publike e Ankarasë, tentativa për grusht shteti filloi në orën 16:16 sipas kohës lokale kur një oficer i forcave tokësore bëri një denoncim në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës (MIT) se “pjesëtarët e FETO-s do të organizojnë sulm ndaj agjencisë për ta kapur kryetarin e saj Hakan Fidan”.

Pas denoncimit, Hakan Fidan dërgoi një zëvendës të tij në selinë e Shtatmadhorisë për t’i shpalosur detajet.

Pas largimit të zv/shefit të MIT-it nga shtabi, Hakan Fidan shkoi në presidencën e Shtatmadhorisë në orën 18:10 për t’u përfshirë në një mbledhje të komandantëve, ku deklaroi se denoncimi mund të jetë pjesë e një plani më të madh.

Gjenerali Hulusi Akar, shef i Shtatmadhorisë së Turqisë, telefonoi Qendrën e Operacioneve të Forcave të Armatosura dhe dha urdhrin për uljen e avionëve në fluturim. Pas largimit të shefit të MIT-it, Hakan Fidan, nga shtabi i Shtatmadhorisë në orën 20:22, ushtarët e FETO-s përshpejtuan nisjen e tentativës për grusht shteti, të cilën më herët kishin paraparë ta fillonin në orën 03:00.

Teksa 33 persona me detyrë në Forcat Speciale u nisën drejt selisë së Shtatmadhorisë, në orën 21:00 Major Gjeneral Mehmet Dişli e shpalli nisjen e puçit duke i thënë shefit të Shtatmadhorisë Akar se “operacioni ka filluar, të gjitha batalionet dhe brigadat janë nisur, pas pak do ta shihni”. Në orën 22:00 u dëgjuan zëra të shtënash në selinë e Shtatmadhorisë, ndërsa një helikopter hapi zjarr mbi personat që gjendeshin aty. Në të njëjtën kohë, puçistët okupuan Drejtorinë e Përgjithshme të TRT-së, transmetuesit publik të Turqisë.

Në këto orë, puçi filloi të fitojë dinamikë në Stamboll. Një grup ushtarësh në orën 22:28 mbyllën dy urat mbi Grykën e Bosforit, Urën e Bosforit dhe Urën Fatih Sulltan Mehmet. Në orën 23:02, kryeministri turk Binali Yıldırım u lidh drejtpërdrejt me një kanal televiziv dhe deklaroi se kryengritësit do të paguajnë rëndë për këtë akt.

Shefi i Shtatmadhorisë, Hulusi Akar, u mor peng dhe u dërgua në Bazën Akıncı nga një grup ushtarësh puçistë në orën 23:02, pasi paraprakisht refuzoi ashpër ofertën për të kaluar në krye të puçit.

Në orën 23:05, Kryeprokuroria Publike e Ankarasë nisi hetim në lidhje me tentativën për grusht shteti.

Në orën 23:08, puçistët e FETO-s organizuan sulmin e parë ajror ndaj kompleksit të parë të forcave të sigurisë në Gölbaşı të Ankarasë, ku në pistën e Departamentit të Aviacionit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë u qëlluan helikopter dhe cisternë karburantesh që gjendeshin në pistë.

Ndërkaq, Departamenti i Operacioneve Speciale në Gölbaşı u bombardua në orën 23:58.

Menjëherë pas bombardimeve, një grup ushtarësh puçistë detyruan leximin e një komunikate ilegale në TRT në orën 00:13. Në ndërkohë, ministri turk i Mbrojtjes, Fikri Işık, deklaroi se bëhet fjalë për “kryengritje të strukturës paralele”.

Në orën 00:24, presidenti Recep Tayyip Erdoğan u lidh në transmetim të drejtpërdrejt në CNN Turk dhe u bëri thirrje njerëzve të dalin në sheshe, gjë që ndërroi kursin e tentativës për grusht shteti.

“Kjo kryengritje ndaj vullnetit kombëtar do të marrë përgjigjen e merituar sipas ligjeve dhe kushtetutës, qoftë kjo strukturë brenda Forcave të Armatosura, qoftë pakicë apo pjesë e institucioneve të tjera”, u shpreh Erdoğan në transmetim.

Puçistët, të cilët në orën 00:45 publikuan komunikatën ilegale të puçit në faqen e internetit të Shtatmadhorisë, në orën 00:56 dhe 01:08 për herë të parë bombarduan Drejtorinë e Policisë së Ankarasë.

Në orën 01:30, presidenti Erdoğan u largua nga hoteli në Marmaris në të cilin po qëndronte, duke kaluar në Aeroportin Dalaman në Muğla.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Pas mesnate, u hap Asambleja e Përgjithshme e Kuvendit

Teksa vazhdonte lufta kundër puçistëve, në orën 01:39 u hap Asambleja e Përgjithshme e Kuvendit të Turqisë. Kryetari i Kuvendit Ismail Kahraman dhe deputetët zunë vendet e tyre në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.

Presidenti Erdoğan u nis drejt Stambollit me avion nga Aeroporti Dalaman. Ministri i Mbrojtjes Fikri Işık në orën 02:00 deklaroi se komunikata e puçistëve është “ilegale”.

Halisdemir ndryshoi kursin e puçit

Semih Terzi, ish-komandanti puçist i Grupit të Forcave Speciale që erdhi në Komandën e Forcave Speciale në Gölbaşı së bashku me një grup puçistësh për ta okupuar Komandën e Forcave Speciale, në orën 02:16 u qëllua për vdekje nga rreshteri heroik Omer Halisdemir, i cili menjëherë u martirizua nga ushtarët që shoqëronin puçistin Terzi. Parandalimi i okupimit të komandës me vrasjen e Terzi, ishte një faktor tjetër që ndryshoi kursin e puçit.

Ushtarët puçistë shënjestruan nga ajri Departamentin e Operacioneve Speciale në Gölbaşı. Një avion F-16 i Forcave Ajrore të Turqisë rrëzoi helikopterin Sikorsky të puçistëve.

Arrestimi i ushtarëve puçistë

13 ushtarë puçistë të FETO-s, prej të cilëve tre me grada, të cilët ishin përpjekur të hynin në Kompleksin Presidencial, u arrestuan.

Kuvendi i Turqisë, i cili vazhdoi seancën në mesin e zhurmës së bombardimeve dhe të shtënave, në orën 02:35 ishte shënjestër e avionëve F-16.

TRT, nga ku u detyrua leximi i komunikatës ilegale, iu kthye transmetimit normal. Pasoi arrestimi i ushtarëve puçistë të FETO-s të cilët tentuan ta okupojnë ndërtesën e drejtorisë së përgjithshme të TRT-së.

Në orën 03:10, kryeministri Yıldırım deklaroi se do të rrëzohet çdo helikopter dhe avion ushtarak që fluturon në zona kritike, si MIT, Kuvendi, Presidenca dhe Kryeministria.

Teksa në orën 03:14 bombardoheshin objektet e TURKSAT, operatorit të komunikimeve satelitore dhe televizioneve kabllovike, filloi sërish të dëgjohen zëra të shtënash në Shtatmadhorinë e Turqisë.

Presidenti Erdoğan arrin në Stamboll nga Marmarisi

Në kohën kur avioni që transportonte presidentin Erdoğan po arrinte nga Marmarisi në Stamboll, godina e Kuvendit në Ankara u bombardua dy herë. Bekir Bozdağ, ministri i Drejtësisë, në fjalën e tij në kuvend në orën 03:20 deklaroi se do të qëndrojnë stoikë edhe nëse hidhen bomba.

“Edhe nëse hedhin bomba, ne jemi këtu. Çfarë do që të bëni, ne jemi këtu. Do t’ju nxjerrim para drejtësisë dhe do të bëjmë që t’i jepni llogari popullit”, theksoi Bozdağ.

Më pas, partitë me grupe parlamentare publikuan komunikatë të përbashkët kundër tentativës për grusht shteti.

Në orën 04:00, Kryeprokuroria Publike e Ankarasë lëshoi urdhër arresti për punonjës të gjyqësorit dhe gjeneralë, admiralë, oficerë, rreshterë, ushtarë të thjeshtë dhe kadetë që ishin pjesëtarë të të ashtuquajturit “Komiteti i Paqes në Vend”, të cilët kishin lidhje me organizatën terroriste FETO/PDY, orkestruesin e tentativës për grusht shteti.

Më pas vijoi ndërprerja e energjisë elektrikë në bazën Akıncı, të cilën puçistët e përdorën si qendër të tyre. Nga ora 04:36, kryeministri Yıldırım i dha gjeneralit Ziya Kemal Kadıoğlu kompetenca për të rrëzuar avionët në hapësirën ajrore.

Në orën 04:42, helikopterë hapën zjarr ndaj hotelit në Marmaris ku kishte qëndruar presidenti Erdoğan. Ushtarë të maskuar dhe armatosur rëndë që zbritën nga helikopterët, rrethuan hotelin. Pesë policë u plagosën në luftimet që ndodhën në hotel.

Kundërveprimi i parë për parandalimin e puçit

Kundërveprimi i parë për parandalimin e puçit filloi në orën 04:54, me ngritjen e dy avionëve F-16 nga Erzurumi me kompetenca për “rrëzim”. Të gjithë avionëve mbrojtëse të ngritur me kompetenca për të rrëzuar, u dha kompetenca për angazhim.

Më pas u bë e ditur se nga ora 06:00 janë marrë nën kontroll zhvillimet në rajonin e Qendrës së Operacioneve Speciale, ku jetën kishin humbur 42 persona, në Gölbaşı të Ankarasë. Me zbardhjen e ditës, dy bomba u hodhën në afërsi të Kompleksit Presidencial. 15 civilë ranë dëshmorë pasi puçistët hodhën bombë mbi automjetet e parkuara para Xhamisë Millet në orën 06:19.

Ushtarët që bllokuan Urën e Bosforit në Stamboll, nga ora 06:40 filluan të dorëzohen.

Në orën 07:00, nga një avion ushtarak u hodh bombë në afërsi të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, e cila gjendet afër Kompleksit Presidencial.

Kryeministri Yıldırım telefonoi lejtnant gjeneralin Hüseyin Demirarslan dhe i dha urdhrin të bombardohet pista e bazës Akıncı.

Në kuadër të hetimeve që nisën lidhur me tentativën për grusht shteti, nga ora 07:35 u arrestuan 754 pjesëtarë të forcave turke në të gjithë Turqinë.

Me arsyetimin se ishin pjesëtarë të FETO-s, 29 kolonelë dhe pesë gjeneralë u larguan nga detyra.

Gjenerali Akar u lirua nga duart e puçistëve

Shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Hulusi Akar, u lirua në orën 08:26 nga duart e puçistëve të FETO-s, pas një operacioni të ndërmarrë në bazën Akıncı.

Në orën 08:36 u morë edhe Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, nga policë specialë. Ushtarët e FETO-s në seli u neutralizuan. Rreth 200 ushtarë u arrestuan.

Këshilli i Lartë i Gjykatësve dhe Prokurorëve (HSYK) organizoi mbledhje të jashtëzakonshme për të marrë masat më të rrepta ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të organizatës terroriste të armatosur FETO. U morë vendimi që të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve që ndodheshin në pushime, t’u ndërpriten pushimet dhe menjëherë të kthehen në detyrë.

Teksa nga ora 09:40 u dorëzuan rreth 200 ushtarë të thjeshtë dhe kadetë të paarmatosur që dolën nga Shtatmadhoria, nisi procedurë ligjore ndaj komandantit të Forcave Ajrore, gjeneralit Akın Öztürk, dhe komandantit të Trajnimit Luftarak dhe Mbështetës pranë Komandës së Trajnimit të Forcave Tokësore (EDOK), lejtnant gjeneralit Metin Iyidil, me akuzën për tradhti ndaj vendit.

Ndërkaq, në orën 10:07 u dorëzuan rreth 700 ushtarë të thjeshtë dhe kadetë të paarmatosur që dolën nga Shtatmadhoria. Në orët e mëngjesit u liruan oficerët dhe rreshterët të cilët ishin mbyllur me duar të lidhura në dhomat e Shtatmadhorisë pasi nuk kishin pranuar të jenë pjesë e puçit.

Ushtarët të cilët nga helikopteri dhe toka hapën zjarr ndaj hotelit në Marmaris ku kishte qëndruar presidenti Erdoğan, u larguan nga rajoni pas dështimit të tentativës për grusht shteti.

Yıldırım: “Gjenerali Akar është në krye të detyrës”

Kryeministri Yıldırım në orën 10:37 deklaroi se shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Akar, është liruar shëndosh dhe se ai gjendet në krye të detyrës në qendrën për menaxhimin e krizave në Çankaya të Ankarasë.

Pas dështimit të tentativës për grusht shteti, pjesëtarët e FETO-s filluan ta braktisin bazën Akıncı në orën 10:41.

Tre prokurorë publikë të Byrosë për Hetime të Krimeve Kundër Rendit Kushtetues pranë Kryeprokurorisë Publike të Ankarasë, në orën 12:56 shkuan në selinë e Shtatmadhorisë për t’i marrë ushtarët e FETO-s që tentuan grushtin e shtetit.

Ora 13:00, shtypja e tentativës për grusht shteti

Deklarata për marrjen e plotë nën kontroll të situatës erdhi nga kryeministri Yıldırım, i cili së bashku shefin e Shtatmadhorisë, ministrin e Brendshëm, të Jashtëm, të Drejtësisë dhe atë të Mbrojtjes, dolën para kamerave. “Kjo kryengritje është shtypur. Këtë fatkeqësi e shtypi populli ynë i madh me mendjeprehtësinë e tij”, deklaroi Yıldırım.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga Kryeprokuroria Publike e Ankarasë në të cilën përshkruhen ngjarjet gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik nga FETO, shtypja e plotë e tentativës ndodhi në orën 13:00.

Gjatë tentativës për grusht shteti, 250 civilë ranë dëshmorë, kurse 2.193 të tjerë u plagosën duke dalë përballë tankeve, armëve dhe terroristëve të FETO-s. /Anadolu Agency (AA)

Aktualitet

Archives