65-vjetori i Kinostudio

Një dëshmi historike që po flaket si rraqe e vjetër.

Kjo është Kinostudioja sot për Saimir Kumbaron. Për ta përkujtuar 65-vjetorin e inaugurimit të saj më 10 korrik 1952, regjisori Kumbaro e kthen objektivin sa nga trashëgimia filmike aq edhe nga historia e tranzicionit të gjatë.

Kumbaro: Gjithë mesazhi i filmit është që kjo të kthehej në muze. Sandër Prosin ta kishe prej dylli, Loro Kovaçin, Marie Lgorecin t’i vendosej aty. Makinat e vjetra janë aty. Do të kishte shumë më tepër vlerë se sa kjo që quhet Ministri Kulture, një muze kinematografie që e ka gjithë bota.

Që nga “Vdekja e kalit”, një nga pak filmat e vërtetë tronditës të kinemasë sonë, Kumbaro kaloi një kohë të gjatë pa bërë film. Por me një kamera të thjeshtë, ai ishte kudo ku kishte ngjarje: mbyllja e Kinostudios, rënia e firmave piramidale, pushtimi urban i Tiranës, papunësia, janë kripa e dokumentarit “Ciceron për historinë”.

KumbaroMë vjen shumë inat që ne kemi mbetur prapa si popullatë. Unë quaj popullatë gjithë këtë dyndje që ka ardhur në Tiranë. Lëvizjet masive të njerëzve e shkrinë atë që quhet populli i Tiranës, dhe e ke popullata e Tiranës. U lëshua shteti. Sot isha në Durrës dhe akoma vazhdojnë ndërtimet me leje apo pa leje dhe kjo është absurde.

Me rihapjen e debatit për heqjen nga qarkullimi të filmave të Kinostudios, ky dokumentar është përgjigjja racionale e Kumbaros për këtë pjesë të kulturës që vjen një kohë e bëhet histori. Ai është veç të tjerash dëshmitar me arkivin e tij personal.

Kumbaro: Ne luftonim me forcë të madhe të krijonim atë që quhet njeriu i ri. Po ç’ishte njeriu i ri? Ja! Sot e kemi njeriun e ri që na drejton, ai njeriu i ri, ai babëzisti i ri.

“Ciceron për historinë” është prodhim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Televizionit Publik Shqiptar, ku do të shfaqet në vazhdim, pas kësaj premiere në kinemanë e Akademisë Marubi.

Aktualitet

Archives