Fitër Bajrami – Në Turqi pritet të konsumohen 3-4 mijë tonë bakllava gjatë festës

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, prodhimi ditor i bakllavasë në Turqi pritet të rritet në 3-4 mijë tonë, nga 1 mijë tonë që është aktualisht.

Tregjet e Turqisë do të mbushen me lloje të ndryshme të bakllavasë me ardhjen e festës së Fitër Bajramit. Mehmet Yildirim, kryetar i Shoqatës Turke të Prodhuesve të Bakllavasë dhe Ëmbëlsirave deklaroi për Agjencinë Anadolli (AA) se punët në këtë sektor shtohen me afrimin e festës.

“Prodhimi ditor i bakllavasë në Turqi është mesatarisht 1 mijë tonë, prej të cilit vetëm në Stamboll prodhohen dhe konsumohen 200-220 tonë, ndërsa kjo shifër rritet me 80 për qind në muajin e ramazanit”, tha Yildirim.

Ai theksoi se bakllavaja është pjesë e rëndësishme e kulturës dhe kuzhinës turke dhe pjesë e pandashme e sofrave të ramazanit dhe bajramit. Yildirim shtoi se konsumatorët blejnë bakllava në sasi të mëdha duke filluar që një ditë para bajramit.

“Ne parashikojmë që konsumi i bakllavasë të 3 apo 4-fishohet vetëm gjatë festës së Fitër Bajramit. Ndërkaq, sa i përket Stambollit, presim që brenda ditës të konsumohen mbi 1 mijë tonë bakllava”, tha Yildirim.

Aktualitet

Archives