Samiti i Brukselit, siguria dhe Brexit në fokus

Liderët e Bashkimit Evropian i janë drejtuar Brukselit për samitin e radhës, ndërsa siguria në kryeqytetin belg është tejet e lartë pas sulmit terrorist në tentativë në stacionin e trenave.

Siguria është një nga temat kryesore në samit edhe për shkak të sulmeve të fundit xhihadiste në Londër dhe Paris. Por, liderët e BE-së nuk mund të lënë pas dore as Brexit, që në disa pikëpamje mund të cënojë edhe bashkëpunimin për sigurinë mes ishullit britanik dhe pjesës tjetër të BE-së. Megjithëse palët shprehin angazhim serioz në këtë kuadër, një divorc nuk është kurrë i lehtë dhe nëse preken marrëdhëniet në fusha të tjera, siguria s’ka pse bën përjashtim.

Ndërkohë, në kuadër të Brexit, pritet që kryeministrja Theresa May t’i ofrojë homologëve të saj një marrëveshje të shpejtë për lejeqëndrimet e qytetarëve të BE-së dhe të drejtat e punësimit. May do të informojë 27 vendet e tjera të BE-së të enjten në mbremjë, por pritet gjerësisht që diskutimet e detajuara Brukseli t’ia lërë delegacioneve të Brexit që nisën besimet të hënën.

BE kërkon garanci të hekurt për 3,2 milionë qytetarët e tij në Britani dhe për 1,2 milionë britanikët që jetojnë në 27 vendet e tjera të unionit. Unioni kërkon që ata të vazhdojnë të gëzojnë liri lëvizjeje sipas rregullave aktuale. Mediat shkruajnë se May do t’i sigurojë të tjerët në këtë pikë, megjithëse nuk është e qartë se si do të garantojë edhe mbajtjen e premtimeve të saj për rikthimin e kontrollit të kufijve në duart e Britanisë.

Aktualitet

Archives