LSI kallëzon padit Ramën në Prokurori : Shkeli ligjin

Lëvizja Socialiste për Integrim ka paditur në Prokurori Kryeministrin Edi Rama, me argumentin se sipas kësaj force politike, kreu i qeverisë shkeli ligjin kur ftoi policinë të mbledhë vota për Partinë Socialiste.

Për LSI-në, thirrjet e Ramës janë shkelje e rëndë e ligjit dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën.

“Thirrjet e Ramës për policinë e shtetit përbëjnë ngjarjen më të rëndë të thyerjes së ligjit. Thirrjet e Ramës thyejnë rëndë moralin te detyrës së një Kryeministri gjatë një fushatë elektorale në këto 25-vjet. Kjo ngjarje dhe kjo veprimtari e Kryeministrit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithë ligjet. Kryeministri i vendit me këtë thirrje ka shkelur të gjithë hierarkinë shtetërore të akteve ligjore. Shkeljet që nga Kushtetuta dhe deri tek VKM-ja më e fundit që ka miratuar qeveria e tij, si pjellë e marrëveshjes politike të datës 17-18 Maj 2017”, thuhet në padinë e LSI-së.

Më tej, kjo forcë politike argumenton se është e nevojshme një hetim dhe shyrtim i kësaj çështjeje.

“Nëpërmjet këtij akti Rama ka shkelur ligjet që e ndalojnë Policinë e Shtetit të marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Rama me veprimet e tij të cilat tashmë nuk i bën më fshehtas, por hapur dhe publikisht, ka kryer shkelje të rënda rregullat në një proces zgjedhor. Thirrjet e Ramës tregojnë se ky shtetas ka konsumuar njëherazi elementë të veprave penale. Nevojitet shqyrtim dhe hetim objektiv. Çmojmë objektivisht fillimin e ndjekjes penale, dhe kryerjen e hetimeve të paanshme në lidhje mbi këtë çështje”, vijon padia e dorëzuar në Prokurori.

LSI kërkon po ashtu të kryhen edhe kontrolle mjekësore për Kryeministrin nëse është i aftë për të kryer këtë detyrë.

“Çmojmë të domosdoshëm kontrollin mjekësor të Kryeministrit, për të verifikuar nëse ai është i aftë mendërisht ose jo, që të kryejë detyrën e Kryeministri. Këto deklarata tregohet qartë se nuk është në gjëndje të qëndrueshme mendore. Nëse një tronditje e tillë psikike, vjen si pasojë e panikut, prej fuqisë së rritjes së mbështetjes popullore për LSI, sërish nuk është aspak shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale dhe politike.  Nisur nga deklarata e papërgjegjshme e Kryeministrit, e vlerëson të nevojshme që Presidenti i Republikës të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar veprimtarinë antiligjore të Kryeministrit të vendit. Shprehim gatishmërinë dhe vendosmërinë e saj për zbatimin e ligjit.”, deklaron LSI.

Pak ditë më parë, në një takim elektoral në Berat, Kryeministri Edi Rama u kërkoi punonjësve të Policisë së Shtetit që pas orarit të punës të marrin pjesë në fushatë dhe të mbledhin vota për PS. Kjo deklaratë u pasua me reagime të ashpra, ndërsa më vonë Rama kërkoi ndjesë.

Aktualitet

Archives