Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino

Shqipëria, për herë të parë, merr pjesë zyrtarisht në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino.

Shqipëria, për herë të parë, merr pjesë zyrtarisht në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Ministria e Kulturës së Shqipërisë, njoftoi të martën ATSH-në se, me mbështetjen e Rajonit Puglia, të Qendrës së Kulturës Shqiptare, të Fondacionit Gramshi të Puglia dhe të Shtëpisë Botuese “Besa”. Prania e Shqipërisë në Sallonin e Torinos, e iniciuar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nënvizon vullnetin për forcimin e bashkëpunimit kulturor me Italinë, vend me të cilin Shqipëria ka lidhje miqësore dhe përkime kulturore, për t’i dhënë jetë kështu një programi të gjerë aktivitetesh që shërbejnë për njohjen në Itali të kulturës dhe letërsisë së vendin përtej Adriatikut.

“Kultura-pashaPORTË”, motoja e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino – thekson znj. Kumbaro – nënvizon idenë që kultura, përveçse është një pasaportë identiteti, na jep mundësinë të kapërcejmë kufijtë dhe të komunikojmë me kulturat e tjera. Në këtë kuptim, letërsia, si shprehja më e gjallë e më autentike e kulturës së një vendi, është mënyra më e mirë për të thelluar lidhjet e vërteta, të bazuara në “vlerat e ngrohta”, ato të dashurisë, miqësisë, poezisë apo historisë”.

Ndërkohë më 13 maj, në orën 17.00, Kumbaro do të diskutojë gjatë një takimi me drejtuesen për Turizmin dhe Kulturën e Rajonit të Puglia, znj. Loredana Capone, mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen e promovimit të kulturës shqiptare në Itali.

Tema e migracionit dhe, në veçanti, dukuria e letërsisë shqipe në gjuhën italiane, do të jetë në qendër të diskutimeve të disa takimeve. Të shtunën, më 14 maj, në orën 14.00, në Sallën Babel të librarisë ndërkombëtare, do të zhvillohet takimi “Përtej kufijve prej uji e fjalësh. Të rrëfesh kufijtë, të rrëfesh vendin tënd dhe atë përballë me fjalë dhe imazhe”, me praninë e shkrimtarëve Anilda Ibrahimi dhe Alessandro Leogrande, regjisorit Roland Sejko, gazetarit dhe drejtuesit të Qendrës së Kulturës Shqiptare, Benko Gjatës, në moderimin e përkthyeses letrare, Mimoza Hysa.

Të dielën, më 15 maj, nga ora 10.30 deri më 11.30, po në Sallën Babel, do të zhvillohet takimi “Nga një vend në tjetrin, nga një gjuhë në tjetrën: shkrimtarja si pashaportë”, me shkrimtarët Carmine Abate, Arben Dedja si dhe Visar Zhiti, i ngarkuari me punë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Pasdite, në orën  16.30, në Stendën e Rajonit të Puglia, është parashikuar takimi me temën “Letërsia shqipe e migracionit në gjuhën italiane”, në të cilën do të marrin pjesë Natale Parisi i Fondacionit Gramshi të Puglia, Daniele Comeriati i Universitetit të Montpellier dhe drejtori i revistës “Crocevia”, shkrimtari Arben Dedja dhe gazetarja e shkrimtarja Luisa Ruggio, në rolin e moderatores. Ky takim do të paraprijë kuvendin e letërsisë së migracionit, të parashikuar për në muajin qershor në Pulia, ku do të marrë pjesë gjithashtu dhe Rosella Santoro, drejtore artistike e festivalit “Il libro possibile” në Polignano a Mare, dhe studentët e Liceut Kartezian në Triggiano (BA).

Aktualitet

Archives