Të tretët në Itali minorenët shqiptarë të pashoqëruar

Përgjatë vitit 2016 në Itali është rritur numri i emigrantëve minorenë, numri i emigrantëve minorenë të pashoqëruar si dhe numri i emigrantëve minorenë të zhdukur ose të pakontaktueshëm.

Ky është përfundimi i nxjerrë nga raporti i sapo publikuar i UNICEF i emërtuar “”Të humburit” dhe i realizuar në bashkëpunim me Institutin e Studimeve mbi Popullsinë e Politikat Sociale.

Sipas statistikave të raportit, në vitin 2016 në Itali kanë mbërritur 181.436  emigrantë,  nga ku 28.223 prej tyre janë emigrantë minorenë. Prej tyre 92% ose 25.846 janë minorenë të pashoqëruar.

Një vit më parë numri i minorenëve të pashqëruarve në Itali ishte rreth 12.630.

Në bazë të raportit në strukturat e strehimit të emigrantëve në territorin italian, ndodhen aktualisht 17.245 minorenë, ku 1.573 prej tyre  janë minorenë shqiptarë të pashoqëruar. të cilët renditen të tretit në numër pas minorenëve egjiptianë që janë rreth 2.801 e atyre me kombësi nga Gambia që numërohen rreth 2.252.

Në vend të katërt pas Shqipërisë renditen minorenët nga Nigeria në rreth 1.456 e në vend të pestë ata nga Eritrea që numërohen rreth 1.314.

Një e dhënë mjaft preokupuese e përcjellë nga raporti i UNICEF është rritja e numrit të minorenëve të pashoqëruar që pasi kanë mbërritur në Itali janë të pakontaktueshëm duke u rezultuar të zhdukur.

Nga shifrat zyrtare janë aktualisht 6.508 emigrantë minorenë të zhdukur. Në vitin 2012 numri i tyre ishte 1.754. Sipas analizës së studiuesve të raportit, zhdukja e tyre ka të bëjë me strategjinë për t’u larguar nga Italia e për të vazhduar udhëtimin drejt vendeve të tjera europiane.

Sipas UNICEF, minorenët e ardhur nga Shqipëria kanë mbërritur në Itali për t’iu larguar varfërisë e situatës së vështirë ekonomike të familjeve.

Shumica e tyre vuajnë nga sindroma e stresit të lidhur me spostimit e jetës në një vend të huaj, në ndjenjën e qëndrimit mbyllur në një qëndër e pamundësisë për të lëvizuar si dhe në tensionin konstant të dëshirës së përmirësimit të kushteve ekonomike të jetës së tyre e të bërthamës familjare të origjinës.

Gjithashtu gjatë 5 viteve të fundit është rritur numri i minorenëve të pashoqëruar që kanë janë përfshirë në botën e krimit, kryesisht për vepra penale të lidhura me trafikun e lëndëve narkotike dhe atë të vjedhjes.

Aktualitet

Archives