Republika e Turqisë hap Arkivat për shtetet e Ballkanit!

Republika e Turqisë hap Arkivat për shtetet e Ballkanit!

Republika e Turqisë hap Arkivat për shtetet e Ballkanit!Republika e Turqisë ka hapur arkivat (osmane) për shtetet e Ballkanit, të cilat sot edhe pse kanë kufij të tjerë politikë në të kaluarën për shekuj janë drejtuar nga e njëjta qendër.

Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Greqia, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Rumania dhe Turqia sot numërohen si shtete ballkanike. Këto shtete edhe pse sot zotërojnë kufij të tjerë politikë, në të kaluarën, dhe sidomos gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, pra në një periudhë kohore që përfshin shekuj të tërë, janë udhëhequr nga një qendër e njëjtë, ka thënë Durali Gürağaç, zëvendës drejtor i Arkivave Shtetërore të Republikës së Turqisë, gjatë një konference të mbajtur në Prishtinë, me rastin e shënimit të 65-vjetorit të themelimit të Arkivave të Kosovës.

“Meqë udhëhiqeshin nga një qendër e njëjtë, është e natyrshme që në fusha të ndryshme të kishin edhe kulturë të njëjtë, dhe kjo në një masë të madhe ishte shkak i formimit të një shkrimi burokratik i ngjashëm mes tyre. Këto dokumente që hartoheshin nga administrata udhëheqëse e këtyre vendeve, sot janë të pranishme në të gjitha shtetet aktuale të Ballkanit”, tha ai.

Stambolli për një kohë të gjatë ishte qendra që udhëhiqte vendet e përmendura më parë, prandaj në këtë qendër, gjenden shumica dërrmuese e dokumenteve që ndriçojnë të kaluarën politike, ekonomike, kulturore dhe historike të tyre, tha më tej zyrtari nga Arkivat turke.

“Thuajse të gjitha këto dokumente janë në gjuhën osmane. Gjithashtu, në një masë më të vogël gjenden edhe dokumente që janë të shkruara në gjuhët vendore të këtyre vendeve.”

Për të nxjerrë në pah këtë trashëgimi të përbashkët dhe për t’u shërbyer hulumtuesit në formë të duhur, deri më sot janë ndërmarrë hapa të ndryshëm me qëllim të bashkëpunimit. Shteti turk tha më tej Guragac, me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, përveç Greqisë, ka nënshkruar protokolle bashkëpunimi. Në marrëveshjet e këtyre protokolleve përfshihen shkëmbimi i dokumenteve, ekspozitat dhe botimet e librave.

Në konferencë u prezantuan temat rreth përcaktimit dhe rekomandimeve të trashëgimisë arkivore. Dorëshkrimet dhe dokumentet janë materialet kryesore nga të cilat formohet kjo lëndë, prandaj Guragac i radhiti në këtë formë: Ndarja e lëndës, Klasifikimi, Restaurimi, Arkivimi digjital, Ruajtja, Punët rreth katalogizimit, regjistrit, dhe publikimit të këtyre punimeve.

Gjatë kontakteve dhe gjatë programit të bashkëpunimit, janë vërejtur edhe disa pengesa, njoftoi më tej ai.

“Këto pengesa janë mosekzistimi i planeve të afatizuara, mospërfundimi i klasifikimit, posedimi i dokumenteve të Periudhës Osmane të shkruara në gjuhën osmane si dhe mungesa e numrit të personelit të specializuar në këtë lëmi. Po ashtu si pengesë është evidentuar pamjaftueshmëria e numrit të punonjësve të profesionalizuar për klasifikimin, restaurimin dhe digjitalizimin e dokumenteve. Pastaj mungesa e unifikimit numerik përgjatë shkëmbimit të dokumenteve”, njoftoi ai.

Shembulli i mos-unifikimit të numërimit gjatë sistemit të klasifikimit nxjerr në pah mos-ekzistimin e standardit të përbashkët, xhelozinë ndër-profesionale, si dhe pranimin me vështirësi të disa shteteve për ri-shkëmbimin e dokumenteve, theksoi më tej Guragac.

Prandaj, për të arritur në përfundim të drejtë, ai konsideron se duhet të formohet një Këshill i Lartë ku do të marrin pjesë udhëheqësit e Arkivave Shtetërore të shteteve të Ballkanit. Ky Këshill me anë të organeve të punës duhet të përcaktojë potencialin e dokumenteve të shteteve ballkanike. Pas përcaktimit të lëndës poseduese, atëherë këto shtete në këtë marrëveshje bashkëpunimi duhet t’i deklarojnë veçoritë që shtojnë kontributet e tyre.

“Pasi të dalin në shesh dokumentet dhe dorëshkrimet që konsiderohen se janë të vlefshme për institucionet shkencore, më pas këto dokumente duhet të publikohen. Që në fillim të punës duhet të bëhet e qartë se këto dokumente nuk janë të dobishme vetëm për Turqinë, por për historinë e të gjitha shteteve të rajonit”, tha ai.

Nëpër arkivat shtetërore, biblioteka, muzetë, teqetë dhe tyrbet, të bëhet evidentimi dhe regjistrimi i lëndës së shpërndarë dhe para se të bëhet digjitalizimi i tyre të plotësohen marrëveshjet paraprake me Këshillin e Lartë të formuar, tha Guragac.

“Duhet të përmendim se këto projekte arkivore janë më se të nevojshme për shtetet e rajonit se sa për Turqinë. Në këtë rast të gjithëve duhet t’ju shpjegohen dobitë e këtij projekti, duke filluar nga udhëheqësit shtetëror e deri tek masat e gjera. Sepse në këtë proces, Turqia ruan një trashëgimi të begatshme dhe bart një objektiv për të ardhmen”, potencoi ai.

I dyti i arkivave turke po ashtu vlerëson se duhet të jepen njohuri dhe të hartohen plane për rëndësinë e projektit në simpoziume dhe seminare të organizuara si dhe të sigurohet përkrahja e nevojshme nga të gjitha institucionet shtetërore.

Projekti në të cilin janë të vendosur anëtarët e Këshillit dhe personeli, duhet të parashihet me plane afatgjate. Të punësohen punëtorë me kontrata të përkohshme afatgjata duke e mësuar gjuhën e atij vendi, nga punëtorët e rajoneve dhe shteteve, në mënyrë që të shkëmbehen gjurmët e mundit të tyre shumëvjeçarë që kanë dhënë dikur dhe po japin sot, thotë zyrtari turk.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Turqisë pranë Kryeministrisë së Republikës së Turqisë duhet të largojë pengesat eventuale të bashkëpunimit në mes të shteteve të Ballkanit, sepse kjo paraqet rëndësi të madhe. Me këtë rast, kemi dëshirë të sqarojmë se ne jemi të gatshëm që të plotësojmë të gjitha obligimet tona me të cilat jemi të ngarkuar.”

Me qëllim të lehtësimit të bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Ballkanit, Guragac tha se me kënaqësi do të plotësohen kërkesat e nevojshme, në veçanti në çështjet që kanë të bëjnë me modelet e dokumenteve, trajnime për Gjuhë Osmane dhe udhëzime për mbështetje teknike. Në këso lloj kërkesash ndërmjet shteteve mike, sipas mundësive, duhet të mundësohen sa më shumë trajnime dhe udhëzime me mundësinë e përkrahjes së këtij stafit të përkufizuar. Këto lloje të aktivitete do të ishin më korrekte dhe do të mundësonin shkëmbimin e ndërsjellë të njohurive dhe përvojave me burime njerëzore.

***

Ndryshe, konferencën në fjalë e hapi shefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës Ramë Manaj, duke prezantuar “Historikun e zhvillimit të Arkivave të Kosovës”. Në Konferencë, po ashtu u prezantuan kumtesa nga përfaqësues vendor dhe të Arkivave Shtetërore të vendeve të Rajonit, sit ë Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi etj.

Pasi që qytetarët e Kosovës po kanë shumë probleme në sigurimin e dokumenteve arkivore, për të dëshmuar apo vërtetuar posedimin e ndonjë prone, kërkuam informata veçanërisht për këtë temë nga shefi Ekzekutiv i Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj. Ai pranon seArkivat e Kosovës kanë pak dokumente arkivore.

“Fatkeqësisht qytetarët kanë shumë të drejtë. Ne kemi pak dokumente arkivore në arkivat e Kosovës. Janë gjithsejtë 7.200 metra gjatësi lineare, që është njësi për matje. Shumica më e madhe e dokumenteve është diku para vitit 1945, pastaj ne po përpiqemi të bëjmë një kategorizim kohor. Deri në vitin ’45, ’45-’90 dhe këto pas vitit 1990. Përndryshe është një dokument i vjetër i shekullit 16, është një vakëf i Mehmet Pashë Kacanikliut, por shumica e madhe e dokumenteve janë të shekullit 19 e këndej.”

Manaj thotë se në Arkivat e Kosovës ka dokumente të para vitit ’45, por edhe dokumente diku prej viteve të ’20-ta.

“Një problem është evident që është i pa-anashkaluar fatkeqësisht, ne në mungesë të kapaciteteve njerëzore kemi vetëm 30% të lëndëve arkivore të rregulluara dhe rreth 70% është e parregulluar dhe në atë pjesë nuk dimë edhe sa kemi e çka kemi. Kjo është pasojë e mungesës së kapaciteteve. Ne kemi normë ekuivalente madje më të lartë se sa arkivistët tjerë mirëpo me këto kapacitete nuk arrihet, madje nuk arrihet edhe për 10-12 vitet e ardhshme, duke lënë anash edhe prurjet e reja që për çdo vit vinë deri në 400 metra gjatësi.”

Manaj po ashtu u shpreh se dokumentet ekzistuese shumica janë në gjuhën serbe, por ka edhe në gjuhën osmane. Shpesh për dokumente të caktuara qytetarët udhëzohen të shkojnë në Shkup pasi që dikur ka ekzistuar Banovina e Vardarit, kurse në Shkup thonë se dokumentet i ka marrë Serbia. Ka qytetarë të cilët kanë shkuar në Serbi, kurse atje thonë se Shkupi nuk i ka kthyer ato dokumente. Ku gjinden dokumentet sipas Manajt?

“Ne mund të flasim për dokumente që i kemi ne në posedim e në shfrytëzim. Sigurisht që ka dokumente që lidhen me Kosovën jo vetëm në Shkup e në Serbi, por edhe në republikat tjera, për faktin që ne kemi qenë pjesë e ish federatës Jugosllave, unë kam parë se ka dokumente në Kroaci, ka në Slloveni. Por është klimë e mirë që zgjerohet bashkëpunimi në rajon. Me Maqedoninë pa probleme, me Malin e Zi, nënshkruam protokollin e bashkëpunimit, me Kroacinë kemi raporte të shkëlqyeshme dhe mbetet vetëm me Serbinë gjendja problematike.”

Dokumentet mund të gjenden edhe në Shqipëri.

“Natyrisht ka edhe në Shqipëri dhe me Shqipërinë jemi me dyer të hapura reciprokisht pa asnjë problem. Edhe vazhdojmë të bashkëpunojmë, të plotësojmë njëri tjetrin dhe këto bashkëpunime janë në interes të të gjithëve”, tha Manaj.

***

Lidhur me këtë teme biseduam edhe me drejtorin e Arkivave të Republikës së Shqipërisë, Gjet Ndoj. “Natyrisht ka dokumente për të gjitha periudhat, pak a shumë ka dokumente në Arkivin e Shqipërisë, por veçanërisht ka dokumente gjatë luftës së dytë botërore, ka mes dy luftërave botërore, veçanërisht në kohën e sundimit të Mbretit Zog. Ndërsa dokumente më të shumta janë të periudhës së shtet-fillimit të pavarësisë, por veçanërisht para-shtetërore, kur territoret shqiptare, të banuara me shqiptarë në Ballkanin Perëndimor, ishin të ndara administrativisht në katër vilajete, siç dihet i Shkupit, Kosovës, Janinës e Shkodrës.”

Drejtori Ndoj thotë se megjithatë Serbia posedon pjesën më të madhe të dokumenteve kosovare.

“Unë mendoj se për shkak të historisë, pushtimit që ka pasur pushteti ushtarak serb në Kosovë, posedon pjesën më të madhe të dokumenteve, pjesën kryesore, çka bashkëpunimi në të ardhmen me arkivat e Serbisë do të garantonte, një plotësim të mirë me dokumentacion Agjencinë e Arkivave të Kosovës.”

Kosova për shkak të situatës politike e ka më të vështirë arritjen e bashkëpunimit me Serbinë në sigurimin e dokumenteve, kurse në këtë drejtim mund të ndihmojë Shqipëria, thotë Ndoj.

“Ne ndoshta për shkak të frymës politike, për shkak të situatës këtu, ndoshta rendi për të filluar me marrëveshjen më përpara mund të jetë nga Tirana. Ne kemi në marrëveshje një pikë ku na obligon secilin prej arkivave për të shërbyer njëri tjetrit edhe nga përfitimet që kemi në marrëdhëniet me palët e treta. Do të thotë, çdo përditësim dokumentesh që ka Arkiva e Shqipërisë me Arkivat e vendeve tjera, këto dokumente janë obligim t’ia shërbejmë e t’ia japim edhe Agjencisë shtetërore të Arkivave të Kosovës.”

Kështu që në një të ardhme të afërt Agjencia e Arkivave të Kosovës do të njoh një stad të ri në pasurimin e dokumenteve dhe në rritjen përgjithësisht të këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit të Kosovës, tha Ndoj. Por, a ka qytetarë kosovarë që shkojnë në Arkivat e Shqipërisë edhe sa është lehtë qasja në ato dokumente? Në lidhje më këtë drejtori Ndoj jep këtë përgjigje.

“Ka shumë studiues kryesisht por edhe qytetarë tjerë. Ne kemi specifika në marrëveshje mes Arkivave të Shqipërisë e Arkivave të Kosovës, sepse shtetasit e Republikës së Kosovës i trajtojmë njëlloj me shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Pra njëlloj si qytetarët e Shqipërisë që vinë tek Arkivi i Shqipërisë, marrin atë që duhet. Atje shërbehet shumë shpejt. Ne kemi pasur një shërbim të ngadaltë, ishte 90 ditë, sot është 22 ditë në rastin ekstremist të vështirë. Për 22 ditë çdo qytetar i Kosovës apo i Shqipërisë, kanë mundësi të marrin maksimumin e mundshëm për 22 ditë, por zakonisht brenda ditës.”

Drejtori i Arkivave të Shqipërisë Gjet Ndoj, theksoi se jo vetëm që trajtohen njëlloj si qytetarët e Shqipërisë, por qytetarët nga Kosova përfitojnë shërbimin me të njëjtat tarifa me qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

– Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI –

Aktualitet

Archives