Prokuroria shqiptare vihet në gjurmët e gylenistëve të fshehur në vend

Konferenca ndërkombëtare me temë “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale që përdorin internetin” ka mbledhur në Tiranë drejtuesit e prokurorive të përgjithshme të rajonit e më gjerë, ku në fokus të saj është bashkëpunimin rajonal i prokurorive.

Në hapje të konferencës dyditore nga 23-24 maj mbajti një fjalë përshëndetëse Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla i cili theksoi se homologët e tij të rajonit, por edhe ata evropianë janë treguar sipas tij çdo herë rigoroz në bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për të luftuar së bashku krimin e organizuar dhe terrorizmin.

“Konferenca e Tiranës do të përqendrohet në forcimin e mekanizmave hetimorë për organizatat dhe grupet kriminale që përdorin internetin për veprimtarinë e tyre kriminale. Teknologjia ka përmirësuar jetën dhe shërbimin për qytetarët. Por nga ana tjetër, në duart e grupeve kriminale, ajo është shndërruar në një mjet efikas për t’iu shmangur agjencive të zbatimit të ligjit. Për këtë arsye, strukturat hetimore janë të detyruara që të realizojnë bashkëpunim shumë të ngushtë dhe shkëmbim të dhënash në kohë reale për të pasur rezultate pozitive”, theksoi Llalla.

Ai ka shtuar se autoritetet shqiptare tashmë kanë hartuar një strategji kombëtare kundër trafikut të narkotikëve dhe zbatimi i saj, kërkon, sipas tij, domosdoshmërisht edhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Në konferencën ndërkombëtare dyditore, organizuar për herë të parë nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, krahas homologëve të tjerë ndërkombëtarë, janë të pranishëm edhe Mehmet Akarca, Prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, i cili ka referuar mbi tematikën e konferencës, përfaqësues të Prokurorisë së Kosovës, Prokurorisë së Përgjithshme të Maqedonisë, etj.

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla përpara mediave ka folur në lidhje me grushtin e shtetit në Turqi të mbetur në tentativë korrikun e vitit të kaluar. Llalla tha se dyshohet se disa persona  fshihen në Shqipëri dhe për këta po bëhen verifikime.

Shqetësimi kryesor i qeverisë turke aktualisht është hetimi i rasteve të ngjarjeve të vitit të kaluar. Prokuroria turke kërkoi bashkëpunim të mëtejshëm me strukturat e Prokurorisë shqiptare për të vënë në dispozicion hetimet në rastet që ata dyshojnë se elementë të përfshirë në këtë grusht shtetit mund të fshihen edhe në Shqipëri..”

I pyetur a ka dyshime se ka persona të tillë në Shqipëri?, kryeprokurori Llalla u përgjigj:

Dyshimet janë se po. Dyshimet e autoriteteve turke janë se autorët e këtyre veprave penale të këtij grushti shteti mund të jenë edhe persona që fshihen pas bizneseve…”

Nuk mund të bëhen publike që në këtë fazë. Të dhënat janë të plota, pritet vetëm verifikimi nga ana jonë.  Në varësi të të dhënave që na vihen në dispozicion nga  autoritetet turke ne do të kryejmë hetime brenda kapaciteteve që kemi, pra brenda atyre hapësirave që ligji shqiptar i lejon…”

Aktualitet

Archives