Propozime të reja nga Rama? Donald Lu sërish takim me Bashën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Donald Lu ka shkuar në selinë blu për një takim me kreun demokrat Lulzim Basha.

Ambasadori Lu bëhet me dije se ka shkuar në selinë blu për negociatat të cilat ende nuk kanë një produkt të gjithëpranuar.

Rama mësohet se nga negociatat me Hoyt Yee nuk  e ka pranuar paketën e McAlllister për të cilën më parë ishte dakort.

Koalicioni opozitar më herët ka reaguar nëpërmjet një deklarate përsa i përket vizitës së zyrtarit të lartë amerikan Hoyt Yee dhe ngërçit politik të krijuar në vend.

Sipas opozitës, Hoyt Yee i paraqiti drejtuesve të opozitës një propozim të integruar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

“Ky propozim i integruar përfshinte (me shkrim) propozimin McAllister dhe planin e tij 15 pikësh, minus zgjedhjen e Presidentit të Republikës që tashmë ka ndodhur, plus propozimin e detajuar me 7 pika të paraqitur nga Kryeministri Rama gjatë takimit të tij me kreun e opozitës Basha më 3 maj 2017.”, shkruhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë theksohet se Hoyt Yee ka deklaruar para opozitës se  insistoi në pranimin e kësaj pakete nga të dyja palët dhe theksoi se përgjegjësia do të ishte tërësisht mbi palën që do të refuzonte këtë paketë.

Po kështu sqarohet se në mbremjen e djeshme, 3 orë pas afatit të rënë dakord, kryetari i opozitës u prezantua me një dokument, në të cilin qartësisht Kryeministri Rama rrëzon propozimin e integruar McAllister Plus,  të prezantuar nga z. Hoyt Yee.

Si përfundim opozita shpehet se vendosi t’i thotë po propozimit të integruar McAllister Plus, në mirëbesim për angazhimin e z. Hoyt Yee në emër të Departamentit të Shtetit si dhe të shumë anëtarëve të shquar të Kongresit të SHBA.

“Pasi  opozita ka thënë qartësisht “PO” ndaj propozimit të integruar, tani është koha që Z. Rama të thotë po, dhe të hapë rrugën për të garantuar së bashku përmes dialogut që ky propozim të jetë plotësisht i zbatueshëm.”, përfundon PD.

Aktualitet

Archives