Sulmet kibernetike kërcënojnë gjithë botën

Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia janë në mesin e shteteve më të prekura nga sulmi kibernetik i së premtes i cili akoma kërcënon botën, deklaroi të dielën kreu i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Përforcimin e Ligjit (Europol).

Në një prononcim për televizionin britanik ITV, Rob Weinwright tha se deri më tani, sulmi ka prekur mbi 100.000 organizata nga 150 shtete të ndryshme të botës. Ai paralajmëroi se kërcënimi mund të përshkallëzohet, me mundësi për sulme të reja të hënën. “Jemi përballur me një kërcënim i cili mund të përshkallëzohet, numrat shkojnë lartë”, tha ai.

Virusi i njohur si “ransomware’, sulmon duke mbyllur monitorët e kompjuterëve me një mesazh ku për çeljen e sistemit kërkohen “bitcoins” (valutë online) në vlerë prej 300 dollarë amerikanë.

“Shumica e njerëzve nuk po paguajnë, prandaj kjo organizatë kriminale nuk ka përfituar një shumë të madhe të hollash”, tha shefi i Europolit.

Sulmi kibernetik ka prekur rëndë në shërbimet shëndetësore të Britanisë. Si rrjedhojë, u ndaluan shërbimet në më shumë se 45 qendra shëndetësore, përfshirë spitalet e Shërbimit Shëndetësor Kombëtare të Britanisë (NHS).

Weinwright tha se bankat deri tani nuk kishin qenë në shënjestër të sulmeve. “Shumë pak banka në Evropë janë prekur, nga shkaku se ato kanë mësuar përmes përvojës së dhimbshme kur kanë qenë objektivi numër një i krimit kibernetik, për çka kanë krijuar një strategji të duhur”, tha Weinwright.

Prodhuesi francez i automjeteve Renault nga e premtja ishte shënjestër e një sulmi kibernetik, por nuk janë dhënë informacione mbi dëmet e mundshme nga sulmet kibernetike.

Në sulmin ndërkombëtar kibernetik janë goditur edhe qeveritë dhe organizatat private në SHBA, Australi, Portugali dhe Meksikë.

Në shënjestër të sulmeve ishin edhe kompanitë e mëdha spanjolle, në radhë të parë kompania kryesore e telefonisë Telefonica, kompania e energjisë elektrike Ibedrola, Gaz Natural dhe grupi bankar BBVA.

Aktualitet