Shkupi kërkon ekstradimin nga Greqia të ish-shefit të Antiterrorit

Në Greqi, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë javë kërkesën për ekstradim të ish-shefit të njësisë antiterror të Maqedonisë, Dejan Vuçoviç.

Vuçoviç u arrestua në Selanik, në shkurt të këtij viti, pasi ndaj tij ishte shpallur urdhër arresti ndërkombëtar.

Urdhër arresti ishte lëshuar pasi më herët, në shtator të vitit të kaluar, Vuçoçiç ishte arratisur nga paraburgimi ku po mbahej.

Ai ishte arrestuar në Shkup, i akuzuar për trafik armësh dhe droge, pasi në automjetin e tij të markës “Volvo”u gjet një granatë dhe më shumë se 800 gramë kanabis.

Edhe pse gjykata e Selanikut urdhëroi ekstradimin e tij, në bazë të kërkesës së dërguar prej autoriteteve maqedonase, Vuçoviç apeloi ndaj vendimit dhe tani pritet se çfarë do të konkludojë Gjykata e Lartë, që do ta shqyrtojë apelimin të mërkurën.

Krahas apelimit, Vuçoviç, që po mbahet në burgun e Diavatas, ka bërë edhe kërkesë për azil politik në Greqi.

Ai pretendon që në rast të kthimit në Maqedoni, rrezikohet me tortura, madje dhe me vdekje.

30-vjeçari ka patur rol kyç në operacionin e zhvilluar në maj 2015 në një lagje të banuar nga shqiptarë, në qytetin e Kumanovës, ku njësi qeveritare zhvilluan për dy ditë luftime të ashpra me grupime të armatosura që u tha u përkisnin strukturave të ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, UÇK.

“Në atë operacion kam qenë me detyrën e komandantit të njësisë së vendosjes së rendit”, shënon në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës së Lartë, Vuçoviç.

Ai pretendon se integriteti i tij rrezikohet për shkak të situatës së trazuar në Maqedoni dhe zgjedhjes së politikanëve shqiptarë në poste të rëndësishme shtetërore, pasi Vuçoviç konsiderohet përgjegjës për vrasjen e luftëtarëve të UÇK në Kumanovë.

“Jam qytetar maqedonas, kristian ortodoks me origjinë serbe”, shkruan Dejan Vuçoviç në lutjen e tij, një kopje të së cilës e disponon e përditshmja greke “Kathimerini.”

Aktualitet

Archives