Basha : Nesër rrëzojmë nga themelet Republikën e vjetër

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, fton qytetarët që të bashkohen nesër më 13 maj, në protestën e opozitës së bashkuar në bulevard, për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Duke folur sot nga çadra e protestës, ai tha se nesër nis besimi i patundur për të ardhmen më të mirë, për të rrëzuar nga themelet Republikën e vjetër të vesit dhe korrupsionit, të krimit dhe dogës, të pazareve të ndyra politike, të kupolës së vjetër politike që siç tha ai, luajti gjithë këto vite teatrin e ndyrë të kukullave në kurriz të shqiptarëve, për të themeluar që nesër Republikën e qytetarëve shqiptarë.

“Mirësevini të papunë e të pashpresë sot, nesër merr rrugë zgjidhja e papunësisë përmes Republikës së re”, u shpreh Basha.

Ai u zotua se ligji për arsimin, do të jetë ligji i parë i Republikës së re, ndërsa tha se nesër bashkohen në shesh maturantë e studentë.

Po ashtu deklaroi se në shesh do bashkohen fermerë, pensionistë, dhe me mijëra sipërmarrës të vegjël, që sipas kreut të opozitës përjetuan terror të vërtetë.

Ai shtoi se një nga aktet e para të Republikës së re do të jetë përgjysmimi me ligj i biletave të urbanëve në Tiranë e çdo qytet tjetër, duke shtuar se paratë do jenë për pensionistët dhe jo për “Lali Erin”.

“Republika e re do të rikthejë në listat ekonomike të çdokujt që ka nevojë për ndihmë ekonomike. Do jepet ndihmë ekonomike dinjitoze dhe pagesën e faturës ekonomike deri në 300 kilovat për çdo familje në nevojë, bashkë me ujin e pijshëm do e bëjë shteti. Të parët në listën e fitimit do jenë familjet në nevojë”, deklaroi Basha.

Sipas tij, nesër do bashkohet në protestë çdo punëdhënës dhe çdo punëmarrës, duke thënë se djersa e shqiptarëve do të jetë vetëm për mirëqenien e shqiptarëve.

Kreu i PD deklaroi se nesër në orën 12.00 bashkohen socialistët e zhgënjyer që po aq sa demokratët duan të pastrohet Shqipëria, nga kriminelët, trafikantët dhe dallkaukët.

“Nesër do të jetë dita e bashkimit më të paparë dhe më të padëgjuar në dekada, për një të nesërme të sigurtë dhe për dinjitetin e çdo shqiptari. Bashkohuni nesër që përmes çelësit të artë, votës së lirë të hapim derën e re për çdo shqiptarë dhe shqiptare”, u shpreh kreu i opozitës.

Aktualitet

Archives